image E tmerrshme: E pranoi se e keqtrajtoi gruan, por Sadat Fejzi dyshohet se e dhunoi edhe vajzën e saj 14-vjeçare

Ekskluzive

E tmerrshme: E pranoi se e keqtrajtoi gruan, por Sadat Fejzi dyshohet se e dhunoi edhe vajzën e saj 14-vjeçare

news image

Gazeta Sinjali dje raportoi se si i kërkuari nga Policia, Sadat Fejzi, që dyshohet për veprën penale “dhunim” në një deklarim për Sinjalin tha se “ia ka dhënë vetëm disa shuplaka” gruas së tij, por nuk e ka dhunuar. Kjo nuk është e tëra lidhur me këtë rast. Sinjali mëson se në shtëpinë e tyre, në Mogillë të Kllokotit, ka ndodhur një ngjarje e tmerrshme.

Sadat Fejzi, dyshohet se përveç që ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij, e ka dhunuar edhe vajzën e saj, të mitur, të cilën gruaja e tij e kishte nga një martesë e mëhershme. Sinjali ju sjellë detaje të reja, për këtë rast të trishtë, për të cilin i dyshuari ende nuk është kapur, edhe pse u denoncua në Polici, që dy javë.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Gjilanit dhe ka njoftuar se Sadat Fejzi gjendet ende në arrati, pasi dyshohet se e ka dhunuar një të mitur. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Fejzi dyshohet se e ka dhunuar vajzën e gruas së tij, të moshës 14-vjeçare, shkruan Sinjali.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë që të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit S.F. dhe i njëjti të arrestohet, pasi dyshohet se më 13 Gusht 2021, në komunën e Kllokotit, ka dhunuar një të mitur, i cili për momentin gjendet në arrati”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.

Por dje, nga arratia u lajmërua në Gazetën Sinjali, Sadat Fejzi, si i dyshuar për “dhunim”. Ai e mohoi se ka kryer këtë vepër penale, por vetëm tha se “ia ka dhënë dy-tri shuplaka”, gruas së tij, për shkak të disa mosmarrëveshjeve. 

 “Kush e dhunon gruan e kurorëzume, këtë mbane mend. Para një jave ka ndodhë disa mosmarrëveshje, ja kom jep nashta nja dy tri shuplaka, jo më shumë. Edhe dikush e ka lajmëru Policinë. Mu shumë më njohin, kom qenë drejtor i televizionit Dardania“, tha Fejzi për Gazetën Sinjali.

Në deklarimin e tij për Sinjalin, Fejzi po ashtu tha se është në bashkëbisedim me Policinë, edhe pse kjo e fundit njoftoi se e ka shpallur në kërkim të njëjtin. Ai madje tha se sot do të vetëdorëzohet në Polici, edhe pse një gjë të tillë, ende nuk e ka bërë.

Sinjali do të ju sjellë së shpejti edhe detaje të tmerrshme lidhur me këtë ngjarje që dyshohet se nuk ka ndodhur vetëm një herë.

Ky rast, është ndër shumë rastet e tjera, të tmerrshme që po ndodhin në Kosovë, e shumë herë po kthehen edhe në ngjarje tragjike.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/