Dhuna në familjet kosovare nuk po ka të ndalur. Gratë po del të jenë viktimat më të shpeshta, të cilat po përjetojnë dhunë të vazhdueshme nga bashkëshortët, të cilët jo gjithmonë denoncohen, për shkak të frikës. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në fshatin Panorc të Malishevës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se këtë herë rasti është raportuar përmes telefonit nga një grua, e cila është rrahur brutalisht nga burri i saj që nga mbrëmë e deri më sot.
I dyshuari D.D., e ka sulmuar pamëshirshëm gruan e tij, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë e në të gjitha pjesët e trupit si pasojë e goditjeve.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se ende nuk është i njohur motivi i këtij konflikti familjar, por ajo që dihet është se viktima është mjaft e shqetësuar për shkak të dhunës që ka përjetuar.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin, i cili më pas është dërguar në stacion policor, ku nuk ka pranuar të flas për rastin, duke u mbrojtur në heshtje.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti “dhunë në familje”, ndërkohë që viktima është dërguar te prindërit e saj.