Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet. Për më tepër në vendin tonë numërohen disa raste të cilat kanë përfunduar me fatalitet raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit brenda Prokurorisë, bëjnë me dije se dje në fshatin Greme të Ferizajt një 56-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij 49-vjeçare.
Pas një mosmarrëveshjeje që viktima e kishte me të dyshuarin, ky i fundit e ka goditur me grushte duke i shkaktuar viktimës lëndime trupore për çka e njëjta ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Sinjali mëson se i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Prokurori i shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.