Policia e Kosovës ka goditur një rrjet të dyshuar të kontrabandës së kafshëve të imta në rajonin e Ferizajt, duke hasur 100 krerë dele pa numra matrikuli dhe pa dokumentacion përkatës, raporton Gazeta Sinjali.
Operacioni është zhvilluar më 19.05.2026, në fshatin Rakaj të Ferizajt, pas pranimit të informatës nga SP-Ferizaj.
Policia Kufitare Jugu, në bashkëpunim me njësitet kompetente dhe inspektorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka realizuar një aksion të koordinuar ku dyshohej për mbajtje dhe kontrabandim të paligjshëm të kafshëve.
Me urdhër të prokurorit kujdestar në Ferizaj, është kryer kontroll në pronën e të dyshuarit L. K. dhe në dy lokacione tjera të lidhura me rastin.
Gjatë kontrollit, janë hasur gjithsej 108 krerë dele, prej të cilave 100 krerë janë gjetur pa numra matrikuli dhe pa asnjë dokumentacion përcjellës mbi origjinën apo kontrollin veterinar. Në dy lokacionet tjera të kontrolluara, sipas inspektorit të AUV-it, nuk janë gjetur shkelje ligjore.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i Shtetit, i cili ka rekomanduar që rasti të iniciohet si “kundërvajtje doganore”.
Rasti i është dorëzuar Doganës së Kosovës në Han të Elezit për procedim të mëtejmë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!