Liverpooli nuk do të lëshojë asgjë në këtë sezon. Skuadra Jurgen Klopp kryeson në Premier League, ndërsa përveç mbrojtjes së titullit në Ligën e Kampionëve dhe fitimit të Kupës së Ligës, kërkon edhe triumfin në Botërorin e Klubeve.
Kjo ecuri ka bërë që “Reds” të përballen me një kalendar të ngjeshur që i detyron ata të luajnë dy ndeshje brenda 24 orëve.
Sipas axhendës, Liverpool duhet të përballet më 17 dhjetor kundër Aston Villa gjysmëfinalet e Kupës, ndërsa një ditë më pas më 18 dhjetor në gjysmëfinalet e Botërorit për Klube që zhvillohet në Katar.
Diçka e pamundur, por një zgjidhje ka dhe ajo është krejt origjinale dhe e padëgjuar në historinë e futbollit. Kështu, klubi anglez ka vendosur të zbresë në fushë me dy skuadra në të njëjtën kohë. Si fillim një ekip me lojtarë të rinj do të luajë në Kupën e Ligës, ndërsa 24 orë më pas Jurgen Klopp dhe skuadra e tij e parë do të luajë në Botërorin e Klubeve.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi anglez që ka nënvizuar faktin se “ishte i pamundur ndryshimi i kalendarit”.