Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person me inicialet L.L., pasi që i njëjti dyshohet për vrasje në tentativë, ku kishte goditur me veturë një zyrtarë policor duke i shkaktuar lëndime të rënda, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia, 22-vjeçarin e ka lokalizuar dhe arrestuar pak kohë pas ngjarjes në rrugën “Abdulla Bojku” në Prishtinë.
Pas arrestimit, policia ka iniciuar një hetim për veprën penale “Vrasje e Rëndë në Tentativë” dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur dje rreth orës 19:30, ku Policia ka pranuar thirrjen për një rast të kanosjes që ka ndodhur në rrugën “Plava” në Prishtinë.
Njësia relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe duke dhënë urdhra ka provuar të ndaloj të dyshuarit, ndërkohë njëri nga vozitësit e veturës ka refuzuar respektimin e urdhrin policor si dhe ndaljen, me ç’rast vrullshëm ka drejtuar veturën e tij për të ikur nga Policia.
Me këtë rast, ai me veprimin e tij, sipas njoftimit të Policisë ka goditur me veturë zyrtarin policor, duke i shkaktuar lëndime me ç’rast, ky i fundit ka pranuar edhe tretman mjekësor.