image E dhimbshme: Lirim Haxholli ishte djalë hasreti - ndoqi rrugën e motrës dhe hallës për t’u bërë polic

Sociale

E dhimbshme: Lirim Haxholli ishte djalë hasreti – ndoqi rrugën e motrës dhe hallës për t’u bërë polic

news image

E premtja e kaluar ishte tragjike për familjen Haxholli. Djali i hasretit, Lirim Haxholli u vra aksidentalisht nga kolegu i tij, gjatë një feste në një villë të Zllatarit në Prishtinë. Kjo festë që u kthye në tragjedi e pikëlloi pa masë familjen e të ndjerit. Lirimi nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve që mori nga arma e zjarrit dhe vdiq, përkundër përpjekjeve të mjekëve në Emergjencën e QKUK-së.

Lirimi ishte përballur me një dhimbje të madhe në vitin 2017 kur nga jeta u nda babai i tij, i cili la pas Lirimin me tri motrat dhe nënën e tij. Pesë vite më pas motrat e nëna e tij përjetuan edhe një goditje të madhe, humbjen e djalit e vëllait të vetëm.

Lirim Haxholli ndoqi rrugën e motrës e të hallës për t’u bërë polic

27-vjeçari u bë pjesë e Policisë së Kosovës, për t’i shërbyer qytetarëve të vendit tonë, ashtu siç bëjnë motra dhe halla e tij. Por rruga e tij u nda në gjysmë, në lule të rinisë.

Për vdekjen e Lirimit kanë shkruar familjarë e kolegë duke shprehur dhimbjen për ndarjen e tij nga jeta.

Motra e tij, përmes një postimi prekës në profilin e saj në Facebook, ka shkruar: “O shpirti jem, o drita e syve te mi ma këpute shpirtin. Pusho në paqe. Me pikëllim lajmërojmë miqtë dhe dashamirët që në moshën 27-vjeçare, pas një incidenti tragjik, ndërroi jetë më i dashuri dhe më i shtrenjti jonë Lirim Idriz Haxholli!”

Njëri nga kolegët, i cili edhe ishte i pranishëm në ngjarjen tragjike shkroi një poezi shumë emocionale.

“Kangët na u sosën Lir

E fuqitë na u shterrën vlla,

Idhshëm na le bre Lir

Zemra na u thy,

E shpirti na u këput merzije,

Buzëqeshjen tonë e more me vete Lir,

se vajin kem me ruejt pergjithmonë, derisa t’kujtojmë ty vlla

Ty, që dorën tane e patëm gjithmonë të shtrirë

mu mbështet te ti sa herë patëm nevojë.

Lir, Bahu engjull mbi krahtë tonë,

Forcën me na kthykur t’gjunjëzohum dhimbjesh,

Se t’fortë ma s’mujmë me kanë

E ti fjalën e vllaut e ki

Kurrë s’do të jesh i harruem,

I buzëqeshun ki me kanë gjithmonë n’kujtimet e mija.

Pusho në paqe, Lir.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për 6 zyrtarët policorë të cilët u arrestuan pas festës tragjike në Zllatar të Prishtinës, ku zyrtari policor, Lirim Haxholli dyshohet se u vra aksidentalisht nga kolegu i tij, Fatlum Mehmeti.

Fatlumit, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje” i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Ndërsa për 5 zyrtarët policorë të tjerë Gëzim Tahiri, Enis Imeri, Florent Ahmeti, Elit Thaqi dhe Bleart Misiri, është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Kujtojmë se ndonëse në natën tragjike kur aksidentalisht humbi jetën zyrtari policor Lirim Haxholli, u vendos që zyrtarët policorë që nuk kishin përdorë armën të trajtoheshin vetëm si dëshmitarë, tashmë statusi i tyre ka ndryshuar.

Burime të Sinjalit brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se Prokurorja e çështjes Besa Limani ka vendosur që 9 zyrtarët policorë t’i marrë në cilësi të dyshuarit për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

15 zyrtarë policorë janë të suspenduar nga IPK për 72 orë dhe nesër pritet t’ju vazhdohet suspendimi.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim për të gjithë ata që nuk i lajmërojnë rastet, për të cilat kryerësit e tyre duhet të përgjigjen para ligjit.

Vepra penale: “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” qartëson se: “Kushdo që është në dijeni për identitetin e kryesit të një apo më shumë prej veprave penale në vijim dhe nuk e lajmëron faktin e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/