Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për arrestimin e katër personave të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, “Përvetësim në detyrë” dhe “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” në Telekomin e Kosovës.
Në mesin e të arrestuarve janë ish-drejtori i shitjes dhe marketingut në këtë ndërmarrje, Trim Musliu dhe drejtori i Financave dhe Thesarit, Armend Osaj, shkruan Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë bëjnë të ditur se Musliu po dyshohet se ka falsifikuar shkresat zyrtare dhe ka përvetësuar pasuri të Telekomit, në atë mënyrë që më 21 janar të vitit 2019, ka bërë tërheqjen e 239 aparatave telefonikë celularë, me qëllim të shpërndarjes te klientët e Valës, mirëpo këtë pasuri e ka përvetësuar për vete apo për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos i shpërndarë te klientët.
Me këtë veprime, Trim Musliu dyshohet se i ka shkaktuar Telekomit dëm në vlerë të rreth 170 mijë euro.
Ndërkaq, ish-drejtori i Financave dhe Thesarit, Armend Osaj, dyshohet po ashtu për veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, “Përvetësim në detyrë” dhe “Falsifikim i dokumenteve zyrtare”.
Sipas burimeve të Sinjalit brenda prokurorisë, Osaj më 19 shtator 2019 nga depoja e Telekomit ka bërë tërheqjen e 239 aparatave celularë, me qëllim që t’i shpërndajë te klientët e Valës, sipas kontratave paraprake, me gjoja qëllim të rritjes së të hyrave të Valës, mirëpo këto aparate nuk i ka shpërndarë te klientët e paraparë, sipas rregullores, duke falsifikuar shkresën se kinse i ka dorëzuar 38 aparate telefonike Postës së Kosovës, saktësisht personit përgjegjës, Burim Gecit.
Më vonë, hetimet e kanë vërtetuar se këto 38 aparate janë përvetësuar nga i dyshuari Armend Osaj, i cili me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Telekomit rreth 34 mijë euro.
Këto burime bëjnë të ditur se Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj të dyshuarve për këto vepra penale, më 2 qershor 2020.
Në mesin e pretendimeve të kallëzimit penal të përfaqësuesit të Telekomit, thuhet se një sasi e madhe e telefonave është përvetësuar kundërligjshëm nga dy ish-zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje, duke saktësuar se janë 239 telefona nuk figurojnë që janë shpërndarë te konsumatorët e Telekomit dhe nuk kanë informacion se ku janë dorëzuar.
Mirëpo, në këtë kallëzim penal thuhet se ka dëshmi se këto aparate telefonike janë pranuar nga Trim Musliu.
Dhjetë telefona të tjerë nuk dihet se ku gjenden, por ka dëshmi se janë pranuar nga ish-drejtori, por nuk ka ka dëshmi se ku janë edhe 139 aparate të tjera, derisa janë pranuar nga ish-zyrtari kryesor Financiar i Thesarit.
Vlera e dëmit, sipas Telekomit, llogaritet të jetë rreth 455 mijë euro.
Burimet bëjnë të ditur se deri tani policia ka intervistuar rreth 30 dëshmitarë dhe këto veprime hetimore kanë konstatuar implikimin e këtyre dy ish-drejtorëve në këtë keqpërdorim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/