Ende lëvizë i lirë Elbasan Karaçica që mbi supe bartë dosje të trashë penale. Ai shquhet për vjedhje të veturave, pjesëmarrje në rrahje, tentativë për ta shkelur me veturë një polic dhe për atë që njihet më së shumti: Vjedhjen e armës së djalit të Rifat Jasharit dhe gjeneralit të FSK-së, Bashkim Jasharit në Komoran të Drenasit.
Elbasan Karaçica akuzohet për 16 vepra penale dhe ai po kërkohet tash e disa muaj nga Policia e Kosovës me urdhër-arrest të Gjykatës Themelore në Drenas dhe Gjykatës Themelore në Prizren.
Hajni i njohur, zakonisht, përmes profilit të tij në ‘Facebook’ sfidon Policinë dhe Prokurorinë, madje edhe tallet me ta.
Në profilin e tij në ‘Facebook’, Elbasan Karaçica poston vazhdimisht fotografi. Ndërsa tek te dhënat e tij shkruan se punon në Spanjë, duke mos dhënë detaje se çka saktësisht punon.
Në janar të këtij viti ai ishte parë duke drekuar në një restorant në Itali, bashkë me këngëtaren kosovare Fjolla Morina.
E në shkurt ka vizituar Francën, nga ku ka publikuar një fotografi.
Përmes fotografive që i poston, vërehet se hajni Elbasan Karaçica bën jetë luksoze.
Më 8 maj Elbasan Karaçica i bën një vit që bashkë me të dyshuarin tjetër Ahmet Kamberi, thyen xhamin e veturës së Bashkim Jasharit dhe ia vodhën një çantë në të cilën Jashari ruante armën e tij “Glock 17”. Që nga ajo kohë, ai bredhë lirshëm nëpër Europë. /Gazeta Sinjali/