image Drita mëson kundërshtarin e mundshëm në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve

Futboll

Drita mëson kundërshtarin e mundshëm në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve

news image

Drita ka mësuar kundërshtarin e mundshëm edhe për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kampioni i Kosovës, i cili të martën mësoi se në raundin e parë do të përballet me Kauno Zalgirisin e Lituanisë, tashmë e di edhe rivalin e mundshëm në rast kualifikimi tutje.

Nëse “Intelektualët” arrijnë të eliminojnë Kauno Zalgirisin, në raundin e dytë do të përballen me fituesin e ndeshjes mes Kalksvik dhe Attert Bissen.

Në letër, asnjëra prej këtyre skuadrave nuk konsiderohet favorite ndaj Dritës, duke i dhënë kampionit kosovar një mundësi të mirë për të avancuar më tej në garat evropiane.

Megjithatë, fokusi i skuadrës nga Gjilani mbetet te përballja e raundit të parë kundër Kauno Zalgirisit. Trajneri Zekirija Ramadani ka deklaruar se ende nuk e njeh mirë kundërshtarin, por ka theksuar se ekipi do të ketë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.

“Një ekip që nuk e njohim, por kemi kohën e duhur për ta përcjellë kundërshtarin dhe për ta përgatitur ekipin tonë në mënyrën më të mirë për t’u përballur me këtë ekip”.

“Një përparësi e shoh te kundërshtari, sepse atje luhet kampionati dhe padyshim që ata janë në një formë më të mirë se ne, mirëpo kur bëhet fjalë për këtë kompeticion, ndonjëherë edhe freskia është shumë e mirë”, deklaroi ai.

Kujtojmë se Drita aventurën evropiane do ta nisë më 7 ose 8 korrik në Lituani, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet një javë më vonë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/