image Dramë në Prishtinë/ Burri e rrah gruan, ajo insiston të kthehet në shtëpi: Ishte mosmarrëveshje e çastit, ai s’më bën probleme

Siguri

Dramë në Prishtinë/ Burri e rrah gruan, ajo insiston të kthehet në shtëpi: Ishte mosmarrëveshje e çastit, ai s’më bën probleme

news image

Një rast i dhunës në familje ka ndodhur mbrëmë në rrugën Bajram Bahtiri në Prishtinë, ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj me të cilin ka tre fëmijë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se i dyshuari (emër i njohur për redaksinë), ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e saj për shkak se djali i tyre, rreth 15-vjeç, ishte vonuar që të kthehej në shtëpi.

Sipas burimeve, deri te dhuna erdhi pasi viktima kishte nisur të debatonte me bashkëshortin e saj, i cili kishte thënë se nuk do ta lejojë djalin të hyjë në shtëpi, pasi ai nuk ishte përgjigjur në telefon.  

Sinjali mëson se i dyshuari e ka goditur me shuplaka në fytyrë bashkëshorten e tij dhe më pas ka dalë jashtë shtëpisë.

Por i dyshuari e sulmoi sërish viktimën, pasi ajo e mllefosur me reagimin e bashkëshortit, e kishte gjuajtur një ‘shpuzore’ jashtë e cila ishte thyer. Kjo bëri që nga frika viktima të mbyllë derën e shtëpisë, por i dyshuari kishte arritur që të hyjë brenda përmes dritares dhe e kishte sulmuar sërish me shuplaka në fytyrë.

Sinjali mëson nga burimet e veta se viktima ka deklaruar se vazhdimisht ka dhunë psikike dhe fizike nga bashkëshorti i saj, por gjatë intervistimit ajo ka insistuar që të kthehet në shtëpi pasi që sipas saj, dhuna që përjetoi mbrëmë është vetëm një ‘mosmarrëveshje e çastit’.

Ajo ka deklaruar se ka gabuar me ‘disa gjeste’, duke përmendur gjuajtjen e ‘shpuzores’, dhe duke pohuar se nuk ndihet e rrezikuar që të kthehet në shtëpi, sepse sipas saj, bashkëshorti i saj nuk i bën probleme.

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale, por që të njëjti nuk kanë marrë pjesë në intervistim, pasi që ankuesja nuk ka dëshiruar që t’i sigurohet strehim nga ta.

Po ashtu asaj i është ofruar tretman mjekësor, ku sipas raportit nuk ka pasur lëndime trupore, por vetëm shqetësim.

Ndërkohë i dyshuari është kontaktuar përmes telefonit dhe për momentin ndodhet në arrati, pasi ka refuzuar që të paraqitet për intervistim.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si ‘Dhunë në familje’ dhe të kërkohet personi i dyshuar.

/GazetaSinjali/