image Dorëzohet Prokuroria, kërkon zëvendësimin e masës së paraburgimit për policët që keqtrajtuan qytetarët duarlidhur në Prizren

Drejtësi

Dorëzohet Prokuroria, kërkon zëvendësimin e masës së paraburgimit për policët që keqtrajtuan qytetarët duarlidhur në Prizren

news image

Pas publikimit të dëshmive ekskluzive nga Gazeta Sinjali për trajtimin çnjerëzor dhe poshtërimin e qytetarëve duarlidhur nga rreshteri i Policisë në Prizren Sami Hoti dhe katër policët: Valon Krasniqi, Frashër Kroni, Albert Përzheku dhe Ardian Krasniqi, Prokuroria në Prizren kërkoi masën e paraburgimit ndaj tyre. Por nuk shkoi shumë, kur Prokuroria u dorëzua dhe bëri sërish kërkesë nga Gjykata Themelore në Prizren, që kjo masë e sigurisë të zëvendësohet, shkruan Gazeta Sinjali.

Nga Gjykata Themelore në Prizren kanë konfirmuar për Sinjalin se kërkesa e Prokurorisë është aprovuar dhe ndaj 5 zyrtarëve policorë të dyshuar është zëvendësuar masa e paraburgimit, me atë të arrestit shtëpiak.

Prokuroria ka vepruar me vonesë për këtë rast edhe kur është kërkuar masa e paraburgimit, pasi që me muaj të tërë ka mbajtur dëshminë për këtë ngjarje dhe vetëm pas publikimit të audio-incizimit nga Gazeta Sinjali, ka ndërmarrë veprime.

Pas publikimit të dëshmive ekskluzive më 25 qershor nga Sinjali, pesë zyrtarët policorë u arrestuan dhe u suspenduan nga puna.

Hoti, A. e V. Krasniqi, Kroni dhe Përzheku dyshohen se kanë kryer veprat penale dhe atë veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe veprën penale në bashkëkryerje “Lëndim i lehtë trupor”.

Se Prokuroria nuk ka ndërmarrë masa deri në publikimin e pamjeve nga Sinjali është edhe rasti i trajtimit çnjerëzor të qytetarit të prangosur në stacionin policor të Gjakovës, ku i dyshuar është ish-komandanti Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarët policorë: Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/