image Ky është vendimi i gjykatës për 5 policët e arrestuar në rastin e Prizrenit - Sinjali

Ky është vendimi i gjykatës për 5 policët e arrestuar në rastin e Prizrenit

news image

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, duke filluar nga ora 13:00 është mbajtur seanca kundër pesë zyrtarëve policorë në Prizren, rreshterit Sami Hoti dhe policëve Valon Krasniqi, Frasher Kroni, Ardian Krasniqi e Albert Perzhaku, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali merr vesh se kjo gjykatë ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë, ndaj pesë policëve të përfshirë në këtë rast.

Hoti, V. e A. Krasniqi, Kroni dhe Perzhaku dyshohen se kanë tejkaluar autorizimet policore gjatë një intervenimi në një lokal në Prizren, më 16 korrik të vitit të kaluar.

Mirëpo, arrestimi dhe suspendimi i tyre u bë vetëm tani, gati një vit më vonë, kur Gazeta Sinjali publikoi ekskluzivisht dëshmi se si zyrtarët policorë në fjalë, keqtrajtuan dhe poshtëruan qytetarët e prangosur brenda stacionit policor në Prizren.

Në materialet e publikuara më 25 qershor nga Sinjali pasqyrohet dhuna e ushtruar nga rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij, derisa katër personat e prangosur transferoheshin me furgonin e Njësisë Speciale për në stacionin policor në Prizren. Hoti me kolegët e tij përveç që treguan muskujt ndaj qytetarëve duarlidhur, ata pareshtur i fyen e i poshtëruan, duke iu kërkuar edhe që të rriheshin “fer”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin