Personi i dyshuar për sulmin e gazetarit Valon Syla është dorëzuar sot në Stacionin Policor në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka raportuar se i dyshuari është Bashkim Jupa nga fshati Molliq i Komunës së Gjakovës, me vendbanim në Zvicër.
Bashkim Jupa është vëllai i zyrtarit të lartë të PDK-së dhe ish-zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi ka konfirmuar lajmin për Gazetën SInjali dhe ka njoftuar se janë duke u marrë me rastin.
“Lidhur me interesimin Tuaj, ju njoftojmë se në polici është lajmëruar një person i dyshuar. Policia është duke u marrë me kompletimin e rastit. Në koordinim me prokurorin kompetent do të vazhdohet trajtimi i rastit”, tha Krasniqi.