image Don Lush Gjergji: Këto kërshëndella të jenë ditë e faljes

Sociale

Don Lush Gjergji: Këto kërshëndella të jenë ditë e faljes

news image

Don Lush Gjergji ka uruar besimtarët për kremten më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Në ceremoninë e meshës për krishtlindje, ai u ka bërë thirrje shqiptarëve që kjo të jetë ditë e festës e faljes dhe e gëzimit.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës në katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë tha se pikërisht ajo është shembulli se si duhet të shërbesh për njerëzit në nevojë.

“Nderoje, duaje, shërbeje, ndihmoje, vëllain apo motrën njeri. Dhe mësoje se të shërbesh do të thotë të mbretërosh dhe mësoje se aty ku nuk ka jetë nuk ka dashuri. Aty ku nuk ka dashuri nuk ka jetë, nuk ka lumturi. Zoti ka dashur që të na jap një bijë, një motër dhe një nënë që Nënën tonë Terezën, gjakun e së cilës e kemi këtu në mesin tonë ajo ishte e përvuajtur , ajo ishte vazhdimisht në shërbim të të varfërve dhe më të varfërve. Atyre që vdesin nëpër trotuare dhe qoshet e botës, e fëmijëve të cilët ishin të kërcënuar dhe rrezikuar”.

Ai ka uruar që këto kërshëndella të jenë ditë të gëzimit dhe faljes.

“Le të jenë këto kërshëndella ditë të gëzimit, ditë të jetës, ditë të dashurisë, ditë të faljes, ditë të paqes së plot me vetveten, me njëri-tjetrin dhe me të madhin Zotin”.

Më tej, në ceremoninë e kujtimit të Krishtit, Don Lush Gjergji tha para besimtarëve që është me rëndësi të angazhohen me përkushtim dhe kujdes për këtë jetë.

“Dashtë Zoti që kjo festë të na i mbushi mendjen, e mbi të gjitha zemrën me këtë porosi. Zoti e ka vetëm një porosi dhe porosia e tij është ‘Të dua, të kam krijuar, dëshiroj të jetoj me ty dhe një ditë bashkë me ty të kalojmë në amshimin e lumtur’. Çfarë nuk ka bërë Zoti ynë për ne dhe për shërbimin tonë. Të mësohemi edhe ne të angazhohemi në jetën tonë shpirtërore me kujdes, përkushtim dhe mbi të gjitha me dashuri”.

Festa e Krishtlindjes është një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Kjo kremtohet dhe festohet çdo datë 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krisht.

/GazetaSinjali/