Një rast i dhunës në familje që ka ndodhur para dy javësh është raportuar tek sot në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë.
Si në shumicën e herave të tjera, edhe në këtë rast, viktimë është një grua, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se e njëjta e ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj stomatolog E.L., për dhunë fizike dhe psikike që dyshohet se ka ushtruar ndaj saj më 16 prill.
Gruaja ka deklaruar para hetuesve policorë se derisa ka qenë në ordinancën e bashkëshortit të saj, i njëjti e kishte kapur për duarsh dhe e ka shtyrë, duke ushtruar edhe dhunë psikike ndaj saj.
Në deklaratën e saj, sipas burimeve të Sinjalit ajo ka zbuluar se edhe muaj më parë, bashkëshorti i saj e kishte rrahur, por që e njëjta nuk e kishte raportuar rastin në Polici.
Policia ka shoqëruar në Stacion Policor edhe të dyshuarin, i cili ka dhënë deklaratën e tij dhe është iniciuar rasti “dhunë në familje”.