Një nga ekspertët më të mirë amerikanë të shëndetit publik thotë se coronavirusi do të jetë i pranishëm për një kohë të gjatë, pavarësisht pretendimit të presidentit Donald Trump se do të “kalojë pa vaksinën”.
Mjeku Tom Inglesby vlerësoi se ka të ngjarë që vetëm një përqindje e vogël e popullsisë është infektuar deri më tani, “kështu që shumica e tyre janë ende të ndjeshëm ndaj këtij virusi”.
Inglesby është drejtori i Qendrës për Sigurinë Shëndetësore në Shkollën e Mjekësisë John Hopkins-Bloomberg.
Ai tha se bëhet fjalë për një “virus me të vërtetë të keq”, dhe se në Shtetet e Bashkuara një numër i madh njerëzish nuk testohen dhe nuk kërkohen kontaktet e atyre që dalin pozitivë, të cilët mund të jenë të infektuar.
Inglesby paralajmëroi për rrezikun e rihapjes së ndërmarrjeve dhe kthimin e aktivitete “si më parë”, gjë që do të çojë në rritjen e “ndërveprimit shoqëror, përhapjes më të shpejtë të virusit dhe një numri më të madh të personave të infektuar”.
Duke komentuar deklaratën e Trump se virusi “thjesht do të zhduket”, Inglesby thotë se koronavirusi do të mbetet problem i theksuar në gjithë botën derisa të mos ketë vaksinë.
“Jo, ky virus nuk do të zhduket. Le të shpresojmë të jetojmë me të dhe të jemi në gjendje të zvogëlojmë rrezikun e transmetimit. Por virusi do të mbetet një problem në SHBA dhe në mbarë botën derisa ta kemi vaksinën”, u shpreh ai./Gazeta Sinjali/