Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës nga sot do të punojnë bashkë në një objekt me kolegët e tyre nga Serbia prej të njëjtave dikastere, njofton Gazeta Sinjali.
Zyrtari doganor kosovar, Fahredin Syla ka thënë se me këtë veprim do të zvogëlohen pritjet dhe vonesat në këtë pikë.
“Sot në mëngjes pala serbe ka dalë në objektin e dedikuar për ta. Ka hapësirë të mjaftueshme për hyrje-dalje të automjeteve dhe maunave që hynë dhe dalin nga shteti ynë. Hyrje-daljet kontrollohen nga pala jonë dhe sigurisht që edhe nga pala serbe në procedurat e tyre të policisë dhe doganës”, ka thënë Syla për Klan Kosovën.
“Tashmë, më lirshëm kalojnë udhëtarët që hynë dhe dalin në apo nga territori i Kosovës. Jemi më afër tani dhe në linja të trasha kemi komunikim zyrtar. Komunikimi nuk është ndalur dhe tash e tutje do të jetë edhe më i madh”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Syla ka theksuar se nuk do të ketë vonesa dhe pritje për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë, pasi sipas tij, kjo pikë kufitare i plotëson të gjitha pushtetet tashmë. /Gazeta Sinjali/