Rodri ka paralajmëruar pjesën tjetër të Premierligës se do të jetë ‘e vështirë’ për çdo skuadër të arrijë nivelin e Manchester Cityt dhe Liverpoolit në të ardhmen.
City dhe Liverpool kanë qenë skuadrat dominuese në Angli në sezonet e fundit, duke fituar katër titujt e fundit të Premierligës mes tyre.
Liverpool fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2019 dhe ka arritur në finalen e këtij viti, ku do të përballet me Real Madridin.
Dy skuadrat, të cilat janë mbyllur në një betejë të ashpër për titullin e Premierligës, kanë fituar gjithashtu katër Kupa të Ligës dhe një Kupë FA në të njëjtën periudhë.
Chelsea, Arsenal, Tottenham dhe Manchester United do të shpresojnë të kapërcejnë hendekun me Cityn dhe Liverpoolin – por spanjolli Rodri beson se kjo do të jetë larg nga një detyrë e lehtë.
“Unë mendoj se do të jetë e vështirë të gjesh një ekip në të ardhmen në nivelin e Manchester Cityt dhe Liverpool-it aktual”, tha Rodri për faqen zyrtare të klubit të Cityt.
“Do të shohim, por mendoj se të dyja skuadrat janë ndërtuar me dy stile të ndryshme futbolli, por janë të ngjashme për sa i përket efikasitetit.
“Pa dyshim, Liverpool është kundërshtari më i mirë me të cilin jam përballur ndonjëherë”.
Rodri, i cili nënshkroi për Cityn nga Atletico Madrid në vitin 2019, është në linjë për të bërë paraqitjen e tij të 100-të për klubin këtë javë.
25-vjeçari ka fituar Premier League dhe dy Kupa të Ligës që kur mbërriti në Angli.
“Të luash në Premier League është e pabesueshme dhe aq më tepër të luash për Manchester Cityn”, shtoi ai. “E kemi treguar në vitet e fundit në garë.
“Premier League është kaq kërkuese, kështu që kur fiton trofeun, është shumë shpërblyese dhe të bën të ndihesh krenar. Është e mrekullueshme të luash në këtë vend futbolli, me gjithë pasionin e të gjithë tifozëve“, deklaroi spanjolli.
City dhe Liverpool janë të barabartë me pikë në krye të tabelës së Premierligës, por djelmoshat e Guardiolës janë përpara në diferencën e golave dhe kanë një lojë më pak teksa udhëtojnë te Wolves të mërkurën mbrëma.