Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Bequk të Vushtrrisë, ku një 12-vjeçar u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij, pasi dyshohet se kreu vetëvrasje me një armë gjuetie. Atë e gjeti vëllai i tij, i cili po ashtu është i mitur, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ndodhi sot rreth orës 14:00, kur vëllai i 12-vjeçarit e kishte dëgjuar një krismë arme e cila e shtyu që të shkojë me shpejtësi në katin e sipërm të shtëpisë së tyre.
Me t’u ngjitur lart në njërën nga dhomat e shtëpisë, ai e ka gjetur 12-vjeçarin të përgjakur, të shtrirë në tokë. E afër trupit, ndodhej edhe arma e gjuetisë së prindit të tyre, me të cilën dyshohet se është kryer akti.
Ai njoftoi menjëherë Policinë e Kosovës, të cilët reaguan me shpejtësi duke dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipin mjekësor.
Posa arritën në vendin e ngjarjes, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e 12-vjeçarit, trupi i të cilit më pas është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Përpos Policisë, vëllai i të ndjerit lajmin e kobshëm ia dha edhe prindërve të tij, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi momentin që ndodhi akti tragjik.
Hetuesit gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një armë gjuetie me tre fishekë si dhe një gëzhojë.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia, të cilët konfirmuan raportimin e Sinjalit.
“Sot, rreth orës 14:00, nga ana e familjarve është raportuar se në shtëpin e tijë në fshatin Bequk të Vushtrris, është gjetur pa shenja jete viktima fëmiu i moshës 12 vjeçar. Njësitë relevante policore dhe ekipa mjeksore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me urdhër prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, tha për Sinjalin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.