image Detaje trishtuese se si rreshteri policor torturoi zyrtaren policore në Pejë

Siguri

Detaje trishtuese se si rreshteri policor torturoi zyrtaren policore në Pejë

news image

Senad Hamzic me gradën e rreshterit policor në Drejtorinë Rajonale në Pejë është ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se ka sulmuar pamëshirshëm një zyrtare policore, me të cilën ishte në lidhje dashurie, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për shkak të motiveve të xhelozisë. Sinjali raportoi ekskluzivisht për këtë rast të rëndë, për të cilin tashmë kanë dalë detaje të reja trishtuese për torturën që përjetoi zyrtarja policore.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se rasti u zbulua pasi zyrtarja policore kishte kërkuar trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, si rezultat i rrahjes brutale, pasi kishte pësuar lëndime të rënda në pjesët e trupit.

Sipas burimeve të Sinjalit brenda spitalit, zyrtarja policore në fjalë është sulmuar fizikisht me grushte në kokë, shqelma e shuplaka nëpër trup e fytyrë, për çka ka pësuar plagë të rënda, sidomos në regjionin e fytyrës.

Gjithçka dyshohet se nisi në veturën e rreshterit policor Hamzic, ku i njëjti dyshohet se torturoi të dashurën zyrtare policor për motive të xhelozisë. Rrahjen brutale rreshteri e vazhdoi edhe jashtë veturës, duke u ‘siguruar’ që të mos lë gjurmë. Kjo pasi që, siç mëson Sinjali ata vazhduan për në një pompë të derivateve, ku zyrtarja policore ka ndërruar rrobat, të cilat i kishte të gjakosura.

Siç mëson Sinjali, deri më tani hetuesit kanë mbledhur prova të mjaftueshme që provojnë se rreshteri policor duhet të ndalohet për shkak të sulmit mizor ndaj zyrtares policore.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë të ditur se policja që u sulmua nga rreshteri, në momentin që u pranua për trajtim mjekësor ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetë.

Sinjali mëson se pas ndalimit për 48 orë të rreshterit policor të dyshuar, hetimet nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë nisur dhe së shpejti pritet të merren veprime të tjera hetimore.  

/GazetaSinjali/