image Detaje për të arrestuarit e sotëm në aksionin "Brezovica 3" - Krejt çka u konfiskua

Drejtësi

Detaje për të arrestuarit e sotëm në aksionin “Brezovica 3” – Krejt çka u konfiskua

news image

Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore të Ferizajt sot ka zhvilluar një aksion të koduar “Brezovica 3”. Ky aksion rezultoi me 8 persona të arrestuar, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronarë të kompanive ndërtimore dhe një person tjetër i dyshuar.

Gazeta Sinjali raportoi se në mesin e të arrestuarve është Ilir Morina, ish-kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe Arian Idrizaj, i cili dyshohet për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’.

Morina, Idrizaj dhe gjashtë personat e tjerë (F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G. dhe H.A.)që u arrestuan, ngarkohen me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit”, “Dhënie të ryshfetit”, “Marrje të ryshfetit” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Në lidhje me këtë aksion, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje duke njoftuar se tetë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë dhe gjatë aksionit janë konfiskuar:

  • Dokumente të ndryshme,
  • Disa fletore me shënime,
  • Tri (3)armë,
  • Një (1) karikator me 5 fishek të kalibrit 7.65mm,
  • Tre (3) fishek të kalibrit 6.35mm,
  • Njëzet (20) fishek të kalibrit 7.62mm,
  • Një (1) kompjuter,
  • Një (1) veturë X6,
  • Pesë (5) telefona,
  • Një (1) orë dore.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ndaj të njëjtëve do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Kujtojmë se më 21 dhjetor 2021, gjatë aksionit ‘Brezovica’ u arrestuan 10 persona, ndër ta edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Ai dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës ka pranuar ryshfet me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në vikend zonën e Brezovicës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/