image Detaje nga aktakuza për rastin e gylenistëve/ Këto janë veprimet që ngarkohen ish-shefi i AKI-së, eprori i lartë i Policisë dhe zyrtari i ministrisë

Drejtësi

Detaje nga aktakuza për rastin e gylenistëve/ Këto janë veprimet që ngarkohen ish-shefi i AKI-së, eprori i lartë i Policisë dhe zyrtari i ministrisë

news image

Prokuroria Speciale dje ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave në lidhje me rastin e deportimit të  gjashtë gylenistëve më 29 mars 2018.

Aktakuza është ngritur ndaj ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, Valon Krasniqit, drejtorit në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare.

Gazeta Sinjali ka siguruar aktakuzën ndaj tre të akuzuarve dhe ju sjell më poshtë detaje.

Sipas Prokurorisë Speciale, Driton Gashi, prej datës 23 mars 2018 deri më 29 mars të po atij viti me qëllim që t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’ua dorëzojë autoriteteve turke 6 gylenistët, i rekomandoi Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, revokimin e lejeve të qëndrimit për ta, me arsyetimin se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Tutje, Prokuroria thotë se Gashi i rekomandoi edhe Rrahman Sylejmanit, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare, nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e gylenistëve me forcë nga Kosova, duke mos e njoftuar Presidentin dhe kryeministrin ashtu siç parashihet.

Gashi akuzohet se i ka tejkaluar kompetencat duke përfshirë AKI-në, në aranzhimin e udhëtimit, transportit dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit, që nuk ishin kompetenca të kësaj agjencie.

Valon Krasniqi, akuzohet se pas rekomandimit të Gashit, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të gylenistëve dhe pa verifikuar fare nëse informacionet e AKI-së plotësojnë kriteret ligjore për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Krasniqi akuzohet se përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletudhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishe kaluar AKI-së dhe Policisë, duke shkelur kështu të drejtat e të dëmtuarve.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari tjetër, Rrahman Sylejmani, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare, tejkaloi kompetencat pasi nxori gjashtë urdhra pas rekomandimit të Gashit për dëbimin me forcë të gylenistëve.

Prokuroria pretendon se Gashi dhe Krasniqi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa i pandehuri Rrahman Sylejmani ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.

Sylejmani akuzohet për veprën penale  “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”, pasi që sipas Prokurorisë, gjatë muajit mars 2018, në shkollat “Mehmet Akif” në Gjakovë dhe Lipjan, si dhe në shtëpinë në Lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë, ka privuar kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe deportuar me forcë gjashtë gylenistët, pa ndonjë bazë ligjore.

Gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim në total.

Gjykatat në Turqi, shumicës prej tyre iu shqiptuan nga 8 vjet burgim, kurse njërit, Mustafa Erdem, drejtori i përgjithshëm i institucionit “Gulistan” në Kosovë, më 5 qershor iu shqiptua dënim prej 15 vjetësh burgim.

/GazetaSinjali/