image Detaje ekskluzive sesi u dhunua dhe u drogua e reja në Prishtinë nga 5 persona për 6 ditë rresht - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107629

Të shëruar

105200

Të vdekur

2250

Detaje ekskluzive sesi u dhunua dhe u drogua e reja në Prishtinë nga 5 persona për 6 ditë rresht

news image

Gazeta Sinjali raportoi më 12 maj për një ngjarje të tmerrshme që dyshohet se i ndodhi një gruaje në Prishtinë, e cila për 6 ditë rresht u dhunua nga 5 persona dhe u detyrua të konsumojë drogë të llojit kokainë, në mënyrë që të shfrynin epshet e tyre shtazarake.

Policia ka identifikuar 3 prej 5 të dyshuarve, ndërkaq vetëm njërin ka arritur ta arrestojë. Viktima për këtë ngjarje deklaroi në Polici derisa dëshmonte për një rast të kanosjes të raportuar nga i dashuri i saj, e ku i dyshuar ishte njëri nga burrat që e dhunuan.

Gazeta Sinjali ka mësuar se si ndodhi kjo ngjarje e trishtë nga 30 prilli deri më 5 maj dhe ju sjell ekskluzivisht detaje të reja.

I dyshuari kryesor që me 30 prill e thirri për ta takuar e më pas dhunshëm e dërgoi në hapësirat e shkreta të një ish ushqimoreje në Prishtinë, ishte denoncuar më herët në polici nga i dashuri i viktimës pasi e kishte kanosur atë.

Për këtë rast në favor të të dashurit në polici dëshmoi edhe viktima, por burri që u përball me këtë vepër si duket zgjodhi një mënyrë të ligë për t’u hakmarrë.

Si përfundoi viktima (emër i njohur për redaksinë) në vendin e njohur me emrin “Sharbanët” në “Kodrën e Trimave “të Prishtinës?

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë bërë me dije se i dyshuari kryesor me inicialet A.K. (emër i njohur për redaksinë) më 30 prill e kishte telefonuar viktimën duke i thënë që të dalin së bashku dhe ta presin të dashurin e saj, i cili e kishte denoncuar në polici të dyshuarin për një rast të kanosjes.

Pasi viktima është takuar me të dyshuarin A.K. afër një lokali (emër i njohur për redaksinë) në Prishtinë, i njëjti e kishte marrë viktimën, pa dëshirën e saj, në veturën e tipit BMW, dhe bashkë me dy të dyshuarit e tjerë. B.M. dhe G.B. e kanë dërguar në vendin e quajtur “Sharbanët”, shkruan Gazeta Sinjali.

Viktima pasi u dërgua në Kodrën e Trimave dhe u mbajt aty për gjashtë ditë me radhë, u përballë edhe me kanosjet e të dyshuarit kryesor A.K., i cili nën kërcënimin e armës i kishte thënë se do t’i bënte keq familjes së saj.

E dhunuar, droguar dhe e kërcënuar..

Ngjarja e tmerrshme për këtë femër nuk mbaroi me kaq. Ajo dyshohet se u dhunua nga këta tre të dyshuar, të identifikuar dhe 2 të tjerë nga 30 prilli deri më 5 maj.

E frikësuar, e kërcënuar dhe në vazhdimësi e dhunuar, ajo u detyrua nga 5 të dyshuarit të konsumonte edhe substanca narkotike të llojit kokainë, raporton Sinjali.

Kjo ndodhi e trishtë për viktimën zgjati 6 ditë, e fati i saj nuk dihej gjatë asaj periudhe, derisa ajo po përjetonte tmerrin.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se A.K., B.M., dhe G.B., dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dhunimi” dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”

Kërkesa për masën e paraburgimit për të arrestuarin e vetëm

Sipas të njëjtave burime, i dyshuari kryesor A.K., ende nuk është kapur, ndërsa ndaj të prangosurit të vetëm për këtë rast B.M., është kërkuar masa e paraburgimit, shkruan Sinjali.

A.K., si i dyshuari kryesor i këtij rasti, dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin