Një aksion i gjerë i Krimeve Ekonomike, Doganës së Kosovës dhe ATK-së ka goditur disa biznese të shitjes së arit në Prizren, ku janë sekuestruar kilogramë ar dhe argjend të padeklaruar, me vlerë qindra mijëra euro, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se hetimet kishin nisur pas dyshimeve se disa biznese të arit në Prizren po i shmangeshin pagesës së detyrimeve doganore dhe tatimore.
Pas një hetimi disamujor, më 20 maj 2026 njësitet e Krimeve Ekonomike, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Njësinë Kundër Kontrabandës dhe ATK-në, kanë realizuar kontrolle në gjashtë biznese dhe tri shtëpi banimi në Prizren.
Gjatë aksionit janë zbuluar sasi të mëdha ari dhe argjendi të padeklaruar: te Margareta Kajtazi, pronare e lokalit “DPZ-Zefi 1”, janë gjetur 2 kilogramë e 703 gramë ar të padeklaruar, te Pjetër Gruda, pronar i “Zefi Gold”, janë sekuestruar 860 gramë ar dhe afro 2.9 kilogramë argjend, te Gazmend Markaj, pronar i biznesit “NTSH-Gazmendi”, janë gjetur mbi 211 gramë ar dhe 148 gramë argjend, ndërsa te Eduard Gruda është sekuestruar argjend i padeklaruar.
Sipas autoriteteve, pesha totale e arit të sekuestruar arrin në 3 kilogramë e 775 gramë, me vlerë të përafërt rreth 455 mijë euro, ndërsa janë sekuestruar edhe mbi 4 kilogramë argjend.
Por aksioni nuk përfundoi vetëm me sekuestrim të metaleve të çmuara.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë kontrollit në lokalin e Pjetër Grudës është gjetur edhe një armë pa leje, ndërsa armë tjetër pa autorizim është zbuluar edhe te një person tjetër Zef Gruda.
Për këto raste janë hapur procedura të veçanta penale nga Policia në Prizren.
Hetimet për rastin po vazhdojnë në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës, ndërsa të dyshuarit janë proceduar në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.