Një bastisje e realizuar nga hetuesit e Krimeve Ekonomike dhe Dogana e Kosovës ka rezultuar me sekuestrimin e një arme dhe municioni në shtëpinë e një artari në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 20 maj 2026 rreth orës 17:40 në rrugën “Iljaz Kuka”, ku njësitet policore po zbatonin urdhër kontrolli në shtëpinë e Zef Grudës.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë kontrollit është gjetur një pistoletë e tipit “HS XDM”, një karikator dhe 44 fishekë, të cilat dyshohet se mbaheshin pa autorizim në një sirtar të banesës.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitet e forenzikës, të cilat kanë sekuestruar armën dhe municionin në cilësinë e provave materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është proceduar për hetime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.