Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, lidhur me mosangazhimin e Inspektoratit dhe Policisë në respektimin e masave anti-COVID, raporton Gazeta Sinjali.
Musliu thotë se kjo deklaratë e kryeministrit është e papranueshme dhe e padrejtë. Sipas saj, Inspektorati dhe Policia duhet të motivohen, e jo e kundërta.
“Policia e Kosovës dhe Inspektorati duhet të motivohen dhe të inkurajohen për punën që po e bëjnë që nga lajmërimi i rasteve të para me Covid-19.
Nëse nuk mund të bëjmë më shumë për ta, të jemi të paktën mirënjohës dhe falënderues për sakrificën e tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Jemi të shqetësuar me mosrespektimin e masave në disa raste dhe mosangazhimin e nevojshëm të Inspektoratit dhe Policisë. Gjatë ditëve të fundit ka pasur aktivitete sportive në masë, duke mos i respektuar masat e nevojshme kundër pandemisë. Ka pasur edhe protesta në mes të Prishtinës pa leje të Policisë, megjithatë kjo nuk do të tolerohet dhe personat përgjegjës të misioneve përkatëse duhet të marrin përgjegjësi për mosrespektimin e masave”, ishte deklarata e Hotit që nxiti reagimin e Musliut./Gazeta Sinjali/