Ata që duhet të jenë shembull për respektim të masave kundër koronavirusit në Kosovë, po i shkelin vet ato. Por siç duket, Policia e Kosovës nuk po i lejon të “ikin” pavarësisht se kush janë.
Gazeta Sinjali mëson se sonte ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është dënuar për herë të dytë nga Policia e Kosovës pasi që argëtohej në restorantin “Mr Crab” në Prishtinë gjatë orës policore.
Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Selimi është zënë sonte nga Policia dhe Inspektorati duke shkelur masat e Qeverisë.
Madje të njëjtit sinjalizues thonë se Selimi ka rezistuar që t’i shqiptohet tiketa nga Policia e Kosovës. Ministri pati fjalosje me zyrtarët policorë për dënimin e shqiptuar, për çka thuhet se policët u nisën që ta shoqëronin në stacion policor.
Por nuk dihet nëse gjatë rrugës ministri i Drejtësisë ka arritur paqen me policët dhe i njëjti është lënë i lirë.
Sinjali mëson se Selimi u dënua me 200 euro para disa ditësh në po të njëjtin lokal për shkelje të masave kundër koronavirusit.
Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar lidhur me këtë rast.