image Dënohet me 1 vit burgim e 5 mijë euro gjobë i dyshuari në rastin e 113 kg heroinë

Drejtësi

Dënohet me 1 vit burgim e 5 mijë euro gjobë i dyshuari në rastin e 113 kg heroinë

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor të akuzuarin për mashtrim, Labinot Zenelaj, duke e dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë, shkruan Gazeta Sinjali.

Dënimi me kusht ndaj Zenelajt nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vitesh.

Ai akuzohej se kishte mashtruar drejtorin e autosallonit “Alberti”, Bujar Bajrami,duke ia kërkuar çelësat e një BMW, me pretendimin se ai është pranuar i veturës, por në fakt vetura në fjalë ishte në pronësi të të ndjerit N.C.

Dënimin me gjobë në shumë prej 5 mijë euro, i akuzuari Zenelaj është obliguar ta paguajë në afat prej 3 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Por, nëse nuk e bën një gjë të tillë, kjo gjobë Zenelajt do t’i zëvendësohet në dënim me burgim duke i llogaritur nga 20 euro.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, mbrojtësi i të akuzuarit Zenelaj, avokati Haxhi Millaku dhe prokurorja speciale Florije Shamolli kanë deklaruar se ndaj këtij aktgjykimi nuk do të paraqesin ankesë.

I akuzuari Labinot Zenelaj ishte i përfshirë si i akuzuar në gjykimin për krim të organizuar lidhur me 113 kg heroinë që po zhvillohet ndaj Xhemal e Sadik Shala, Iskender Sale dhe Alban Gashi.

Mirëpo, ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale, pasi i njëjti kishte shprehur gatishmërinë që të pranojë fajësinë për veprën penale të mashtrimit, që i ngarkohej atij./Gazeta Sinjali/