image Dënohen me 8 vjet e 6 muaj burgim dy të akuzuarit që u kapën me mbi 29 kg marihuanë në Gjakovë

Drejtësi

Dënohen me 8 vjet e 6 muaj burgim dy të akuzuarit që u kapën me mbi 29 kg marihuanë në Gjakovë

news image

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim dy të akuzuarit me iniciale A.M. (1) dhe A.M. (2), shtetas të Republikës së Shqipërisë, të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, raporton Gazeta Sinjali.

“I akuzuari A. M. (1) është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej tre mijë (3000) euro. I akuzuari A. M. (2) është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet dhe dënim me gjobë në shumën prej tre mijë (3000) euro”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Të akuzuarve në këtë dënim do të iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 21 gusht 2019. Po ashtu, të akuzuarit janë obliguar që të paguajnë secili veç e veç shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej dyqind (200) euro si dhe shumën prej pesëdhjete (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar është vërtetuar se të pandehurit më 21 gusht 2019, pa autorizim kanë importuar substancë narkotike e llojit “Marihuanë” nga Republika e Shqipëria për në Republikën e Kosovës.

“I pandehuri A. M. (1) pasi e kishte kaluar pikën kufitare “Qafë Morinë” në Gjakovë, e kishte parkuar veturën e markës ‘Mercedes’ tek parkingu i qendrës tregtare “ETC” në Gjakovë, më pas së bashku me të pandehurin A. M. (2) me veturën e markës ……, vazhdojnë rrugën në drejtim të qendrës tregtare “Landi Star” ku ndalohen për kontrolle nga njësia antidrogë. Meqenëse i pandehuri A. M. (1) e kishte të parkuar automjetin tek “ETC”, për të cilin kohë më parë kishte informacione se posedonte substancë të dyshuar për narkotikë, njësiti antidrogë, së bashku me të dyshuarit kanë shkuar tek vetura e parkuar pranë “ETC-s” dhe gjatë kontrollit, në pjesën e pasme (bagazh), janë gjetur katër (4) thasë me substancë në formë bari e dyshuar për “Marihuanë”. Nga ekzaminimi laboratorik i forenzikës është konstatuar se të akuzuarit kishin në posedim neto njëzet e nëntë (29) kilogram e treqind e shtatëmbëdhjetë (317.57) gram, substancë narkotike të llojit Marihuanë”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë rast, gjykata e shkallës së parë ka urdhëruar Stacionin Policor në Gjakovë, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi të bëjë shkatërrimin e substancës narkotike si dhe ndaj të akuzuarit A. M. (1) t’i konfiskohet automjeti i markës “Mercedes-Benz” ashtu që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, Agjencia për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar në Prishtinë, obligohet që ta marr nën administrim dhe menaxhim.

Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Gazeta Sinjali/