Pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Sinisa Vasic, i është dëmtuar vetura e tij private në parking afër picerisë N1 në Mitrovicën Veriore, shkruan Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se vetura e tipit peugeot 307, në pronësi të pjesëtarit të policisë është dëmtuar gjatë natës në xhamin e përparm me mjet të fortë.
Dyshohet se dëmtimi i pronës mund të ketë lidhje me punën e tij si pjesëtar i njësisë speciale, i stacionuar në Mitrovicën e Jugut.
Kujtojmë që brenda tri ditëve Policia e Kosovës ka qenë katër herë cak i sulmeve, e për sulmin e fundit autoritetet në Kosovë e drejtuan gishtin kah Serbia.
Edhe në natën e mbrëmshme dyshohet se ka ndodhur një sulm nga grupet kriminale në drejtim të policisë kufitare në Mitrovicë. Të dyshuarit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të tyre.