image ‘Dashnia nuk është sëmundje’, ‘Me homofoba nuk ka shtet’ – Protestuesit mblidhen para Kuvendit

Sociale

‘Dashnia nuk është sëmundje’, ‘Me homofoba nuk ka shtet’ – Protestuesit mblidhen para Kuvendit

news image

Dështimi i miratimit të Projektkodit Civil që rregullon bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nxiti një protestë kundër homofobisë në Prishtinë.

Një numër i madh i qytetarëve kanë protestuar me pankarta në duar para objektit të Kuvendit, raporton Gazeta Sinjali.

“Dashnia nuk është sëmundje”, “Dashnia është rezistente”, “Me homofoba nuk ka shtet”, “Homofob, s’ki vend në Kuvend”, ishin disa nga mbishkrimet në parullat e protestuesve.

Ata kanë brohoritur: “LGBT në familje, LGBT në punë LGBT në Kuvend, LGBT në Qeveri”, duke thënë se në vendin ku duhet të kalojnë ligje që rregullojnë barazinë shoqërore, aty po legjitimohet vazhdimi i shtypjes nga këtij komuniteti.

“Në këtë Kuvend dje është keqpërdorë shkenca, familja është cilësu si sëmundje, janë sulmu ata që nuk mund të kenë fëmijë. E drejta për tu martuar me personin që do nuk duhet të jetë qejf i deputetëve të Kosovës. Rezistenca jonë nuk do të ndalet, ne do të vazhdojmë të luftojmë”, u shprehën ata.

Ndryshe, Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvend.

Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 77 deputetë nga 120, por që në votim morën pjesë vetëm 61 prej tyre.

29 deputetë votuan kundër, 28 për dhe katër deputetë kanë abstenuar.

Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës të së mërkurës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Votat kundër ishin për të ndaluar që të mundësohet kjo bashkësi civile.

Më herët edhe krerët e bashkësive fetare në Kosovë kishin kundërshtuar lejimin e “bashkësive civile”, pasi thanë se ripërkufizohet familja dhe martesa.

/GazetaSinjali/