image Çfarë ndodhi sot në Prishtinë ku një zyrtar policor mbeti i plagosur nga hajnat

Siguri

Çfarë ndodhi sot në Prishtinë ku një zyrtar policor mbeti i plagosur nga hajnat

news image

Sot rreth orës 05:30, është plagosur një zyrtar policor në qendrën tregtare Grand Store në Prishtinë nga hajnat që tentuan ta grabisin Bankën Kombëtare Tregtare, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Policia e Kosovës.

“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë”.

E lidhur me rastin, zëdhënësi i PK-së për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka dhënë detaje të reja për Sinjalin, i cili tha se policia gjatë vendit të ngjarjes ka nxjerrë në pah dyshimet për katër të dyshuar të përfshirë në rast si dhe të armatosur me armë të gjata të cilët me breshëri kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë.

Komunikata e plotë:

Veprimet policore të hetimit  si dhe ato  të gjurmimit në vendin e ngjarjes kanë nxjerrë në pah dyshimet për katër të dyshuar të përfshirë në rast si dhe të armatosur me armë të gjata të cilët me breshëri kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policor.

Duke parë rrezikun e menjëhershëm, të drejtpërdrejtë dhe krejtësisht të pashmangshëm për jetën e tyre zyrtarët policor kanë përdorur armën e tyre me qëllim të parandalimit të sulmit serioz nga të dyshuarit.

Si pasojë e të shtënave nga të dyshuarit përveç plagosjes së zyrtarit policor janë shkaktuar edhe dëme materiale në një veturë të policisë si dhe në një kamion dhe në një automjet tjetër transportues.

Së këndejmi të dyshuarit me qëllim të hapjes së bankomatit dhe grabitjes së parave,  dyshohet të kenë përdorur materie shpërthyese,  por përkundër kësaj si rezultat i reagimit policor nuk kanë arritur ti grabisin ato.

Policia bashkërisht me prokurorin e shtetit po koordinojnë veprimet vijuese hetimore deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke orientuar hetimin për grabitje të armatosur në tentativë dhe vrasje e rëndë në tentativë.

/Gazeta Sinjali/