Dhuna në familjet kosovare s’ka të ndalur. Gratë po vazhdojnë të sulmohen pamëshirshëm nga burrat, ndaj të cilëve jo çdo herë po merren masat e duhura të sigurisë.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në një familje në Kamenicë. Pas një mosmarrëveshje, një burrë ka sulmuar brutalisht gruan e tij, në sy të fëmijëve.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje lidhur me këtë ngjarje.
Sipas të njëjtave burime, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten, duke e goditur me shuplaka në fytyrë e shqelma.
Për të mos mbaruar me kaq, ai e ka kërcënuar të njëjtën se do ta mbyste, duke i terrorizuar fëmijët që ndodheshin në dhomën ku ndodhi ngjarja.
Pas denoncimit të rastit, prokurori kujdestar ka lëshuar urdhër që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të hapet rasti “dhunë në familje”.
Ndaj të njëjtit, burimet e Sinjalit kanë njoftuar se do të bëhet kallëzim penal, me provat e grumbulluara lidhur me rastin.
Kujtojmë se janë të shumta rastet e dhunës në familje të cilat nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur institucionale, si pasojë e së cilës ka ardhur deri te vrasja e grave.