Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë pesë persona ndaj të cilëve kishte urdhërarrest të lëshuar nga gjykatat, raporton Gazeta Sinjali.
Personi i parë u kap dje pasdite, rreth orës 18:00, në rrugën “Mulla Idrizi”, në Gjilan. Ai është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Po në këtë rrugë, në orën 19:30, policia prangosi edhe një person tjetër të kërkuar, i cili u dërgua në Burgun e Dubravës.
Ndërkaq në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali u dërgua një i kërkuar tjetër, i cili u arrestua në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë, rreth orës 19:30.
Në orën 21:50, policia kreu dy arrestime në dy vende të ndryshme. Në Fushë Kosovë u arrestua personi i katërt, i cili u dërgua në vuajtje të dënimit në Burgun e Lipjanit.
Kurse, i kërkuari tjetër u kap në Pikën Kufitare në Vërmicë dhe u dërgua në Burgun e Dubravës./Gazeta Sinjali/