Një statujë e madhe e Jezus Krishtit është duke u ndërtuar në Brazilin jugor dhe do të jetë më e gjatë se statuja e famshme e Krishtit në Rio de Janeiro.
Statuja “Krishti mbrojtës” po ndërtohet në Encantado, një qytet i vogël në Brazilin jugor, nga një organizatë e quajtur “Asociacioni ‘Shokët e Krishtit’”.
Ajo do të ndërtohet nga hekuri dhe betoni, dhe do të jetë e gjatë 43 metra, afro 5 metra më e gjatë se statuja e cila ndodhet tashmë në Rio. Sipas organizatës e cila do ta ndërtojë atë, statuja do të jetë, statuja e tretë më e gjatë e Krishtit në botë.
Statuja më e gjatë në botë e Krishtit është duke u ndërtuar në Meksikë dhe ajo do të jetë mbi 75 metra ndërkaq e dyta është në Poloni, e gjatë mbi 52 metra, transmeton Koha.
Statuja e cila po ndërtohet në Brazilin jugor, konkretisht në pjesën afër kufirit me Uruguain dhe Argjentinën, është krijimtari e skulptorit Genésio Gomes Moura dhe djalit të tij, Markus Moura. Ndërtimi i statujës e cila ka nisur në qershor të vitit 2019, duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2021.
Ajo do të kushtojë rreth 353.000 dollarë ndërkohë që organizata e cila po e ndërton është duke kërkuar donacione për ta përfunduar projektin. Statuja do të përmbajë edhe ashensor nga qelqi i cili do t’ua mundësojë turistëve shëtitjen përgjatë saj ndërkohë që do të mund të bëjnë edhe fotografi të qytetit./Gazeta Sinjali/