image Borrell mbledh të hënën Këshillin për Punë të Jashtme, diskutohet për tensionet mes Kosovës e Serbisë

Politikë

Borrell mbledh të hënën Këshillin për Punë të Jashtme, diskutohet për tensionet mes Kosovës e Serbisë

news image

Raportet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të tensionuara pas vendimit nga kryeministri Albin Kurti për targat ilegale serbe. Ky vendin është kundërshtuar nga Lista Serbe e cila ka bojkotuar institucionet e Kosovës duke dorëzuar pozitën e ministrit dhe mandatin e deputetit. Pëveç kësaj, shumë policë, gjyqtarë e prokuror serbë u dorëheqën nga pozitat e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

Derisa në veri të vendit, situata vazhdon të jetë me tensione të kohë pas kohshme, ndërsa rendin po e ruajnë Njësitet Speciale të Kosovës në bashkëpunim me NATO-n.

E për këtë çështje, të hënën më 14 nëntor në Bruksel do të mblidhen shefat e diplomacisë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë takim do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor, respektivisht edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka njoftuar se Këshilli për Punë të Jashtme do të mblidhet të hënën dhe do të diskutojë për Kosovën.

“Normalizimi është një faktor kyç në rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë. Këshilli për Punë të Jashtme do ta diskutojë këtë çështje të hënën”, ka shkruar Stano në Twitter.

Kjo konfirmohet në agjendën zyrtare që është publikuar në faqen e Këshillit Evropian, ku tregohet se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell do të kryesojë takimin.

“Më 14 nëntor, Këshilli, i kryesuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, do të zhvillojë shkëmbime pikëpamjesh mbi agresionin rus kundër Ukrainës, rajonit të Liqeneve të Mëdha dhe Ballkanit Perëndimor”, shkruan agjenda zyrtare.

Ndryshe, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar si rezultat i çështjes së targave.

I gjithë ky ngërç vjen në një momentum të ri të krijuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pas propozimit franko-gjerman.

Kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar si bazë të mirë derisa para nisjes në Paris ka thënë se me vete e ka edhe propozimin e Kosovës për kornizën e përgjithshme.

Ndërsa presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq ka treguar se propozimit frank-gjerman i është kundërpërgjigjur me një non-paper por pa dhënë detaje.

/GazetaSinjali/