image "Plani franko-gjerman formulë e rrezikshme, Asociacioni e qet jashtë lojës pushtetin qendror"

Politikë

“Plani franko-gjerman formulë e rrezikshme, Asociacioni e qet jashtë lojës pushtetin qendror”

news image

Foto ilustruese


Presioni ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe është rritur dhe jo rrallëherë nga komuniteti ndërkombëtar kanë thënë se në Evropë ka modele të ndryshme, të cilat do të mund të aplikoheshin edhe në rastin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Një i tillë është propozuar nga dy shtetet me superfuqi siç janë Franca dhe Gjermania.

Formimi i Asociacionit është një ndër pikat kyçe të propozimit franko-gjerman e i cili po shihet si i rrezikshëm për Kosovën nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.

“Propozimi franko-gjerman është formula më e rrezikshme për vendin. Përtej bile kësaj që dëmton rendin Kushtetues dhe juridik të Kosovës. Drafti i planit franko-gjerman është edhe më i keq se sa Republika Srpska në Bosnje”, u shpreh Berisha për Gazetën Sinjali.

Anëtari i Komisionit për Çështje të Siguriës dhe Mbrojtjes u shpreh se e ka parë një draft të këtij propozimi ku janë disa pika të cilat siç thotë ai, i japin Asociacionit të drejta vendimmarrëse në proceset politike qendrore.

“Çështjet urbanistike pa lejen e organeve të Asociacionit nuk mundesh me ble e as me ndërtu në zonat që konsiderohen pjesë e këtij asociacioni. Dhe, ata kanë të drejtë ndërtimin e dhe sjelljen e kolonëve nga kudo që duan dhe t’i vendosin në ato objekte dhe vendbanime që i krijojnë. Pra, shkon me automatizëm.  Një e drejtë tjetër që ju jepet është ndikimi në proceset politike dhe vendimmarrëse në organet qendrore.”, u shpreh ai.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas Berishës “është një pushtet i tretë që e përjashton komplet atë qendror”.

Çka parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet më vonë është arritur edhe marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij Asociacioni.

Por, Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pika të marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe ka shtuar se ato mund të harmonizohen me akte nënligjore nga Qeveria e Kosovës.

Serbia insiston që Asociacioni të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive, por Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik.

/GazetaSinjali/