Mbështete në raporte të gazetave amerikane, më poshtë gjeni një blic lajmesh kryesore në botë që shënuan ditën e djeshme.
■ Vendet europiane ndërmorën të hënën disa nga hapat e tyre më të mëdhenj për të hequr bllokimet e koronavirusit, por jeta mbeti larg normales. Palestrat u rihapën në pjesë të Gjermanisë, dhe disa shkolla dhe dyqane u rihapën në Francë.
■ Gjashtë raste të reja koronavirusi janë raportuar në qytetin Wuhan, Kinë, ku virusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar. Midis të infektuarve ishte një burrë 89-vjeçar, i cili u konfirmua se e kishte virusin të shtunën, rasti i parë në qytet që nga fillimi i prillit.
■ Rastet e virusit janë rritur në mënyrë të qëndrueshme në Washington, D.C., me të paktën 6.389 raste në total, dhe 328 vdekje, një normë më e lartë e vdekjes sesa në shumicën e shteteve të ShBA, që nga e hëna. Sipas një memoje të brendshme, punonjësit e administratës Trump duhet të mbajnë maska kur ndodhen brenda ndërtesës në krahun perëndimor.
■ Ndërsa shtetet në ShBA rihapen pa përmbushur kriteret bazë, ekspertët shqetësohen se një goditje e dytë e virusit mund të marrë formën e “valëzave” të paparashikueshme.
■ Incident me ‘zjarr miqësor’ në Iran: Një raketë qëlloi të dielën nga një frigatë e Marinës iraniane dhe goditi një tjetër anije iraniane gjatë një stërvitjeje ushtarake në Detin e Omanit, duke vrarë të paktën 19 marinarë – hera e dytë këtë vit që Irani gjuan një raketë vdekjeprurëse në shënjestrën e gabuar.
■ Fushata presidenciale e ShBA-së: Senatorja Kamala Harris nga Kalifornia konsiderohet të jetë pretendenti kryesor si kandidate për zv/Presidente e Joe Biden, por ajo ka mbajtur një profil dukshëm më të ulët se pretendentët e tjerë të mundshëm.
■ Presidenti Putin i jep fund sot ‘pushimit të detyruar’ mbarëkombëtar, duke pretenduar sukses në frenimin e përhapjes së koronavirusit. Qeveria është mburrur me një shkallë të ulët vdekshmërie, duke i ngatërruar studiuesit që e krahasuan atë me të vendeve të tjera me sisteme të dobëta shëndetësore. Raporte të brendshme thonë se vdekjet nënraportohen.
■ Vende të tjera ku gjithashtu mund të mos raportohen vdekjet janë Bjellorusia, udhëheqësi i së cilës ka refuzuar thirrjet për bllokim, dhe Meksika, ku zyrtarët kanë regjistruar tri herë më shumë vdekje në kryeqytet se ç’ka pranuar qeveria.
‘Fuqitë e mesme’ përfitojnë nga hapësira diplomatike
Vende që konsiderohen ‘fuqi të mesme’, si Australia dhe të tjerë në Europë dhe Azi, po krijojnë lidhje të reja me leksionet që kanë nxjerrë nga pandemia e koronavirusit: që rreziqet e qeverisë autoritare të Kinës nuk mund të mohohen më, dhe se ata nuk mund të mbështeten më te ShBA për lidership.
Australia, për shembull, është bërë udhëheqësi i papritur i një aksioni për të forcuar institucionet ndërkombëtare, pasi kërkoi një hetim të Organizatës Botërore të Shëndetit mbi origjinën e pandemisë. Europa i është bashkuar kësaj përpjekjeje.
Thirrja për hetim zemëroi Pekinin, i cili ka refuzuar kritikat për reagimin fillestar ndaj koronavirusit. Masa, treguese e gatishmërisë më të madhe të Australisë për t’u përballur me Kinën, ka tronditur diplomacinë globale.
“Që rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla të ketë kuptim ai duhet praktikuar”, tha një ligjvënës australian. “Nëse bota nuk përgjigjet dhe nuk vepron tani, kur do të veprojë ndonjëherë?”.
Aleancat e fuqive të mesme mund të jenë jetëshkurtra, por ato gjithashtu mund të ofrojnë një alternativë për dinamikën midis dy superfuqive të botës. /Gazeta Sinjali/