image Si të mbrohemi nga lajmet e rreme? - Sinjali

Si të mbrohemi nga lajmet e rreme?

news image

Pushtimi rus në Ukrainë, i cili ka filluar më 24 shkurt, ka nxitur një valë të shpërndarjes së lajmeve dhe fotografive të rreme nëpër rrjetet sociale.

Njerëzit zakonisht i shpërndajnë ato sepse janë të shokuar – apo edhe në kërkim të ndihmës.

Rrjetet sociale janë kanale digjitale në të cilat mund të krijohen dhe të shpërndahen informacione, ide dhe të krijohen lidhje me komunitete e rrjete të ndryshme.

Jo gjithmonë dihet kush e ka krijuar një përmbajtje, pse publikohet dhe nëse është kredibile.

Përveç informacioneve të rreme, nëpër rrjete sociale qarkullon edhe propaganda e sponsoruar nga shteti.

Rrjeti Ndërkombëtar për Kontrollim të Fakteve në të cilin kontribuojnë dhjetëra media nga shumë vende të botës – ka identifikuar mbi 600 materiale të rreme për këtë luftë.

As Kosova nuk ka qenë imune ndaj tyre.

Në mesin e rreth 30 materialeve me përmbajtje të rreme që kanë qarkulluar në gjuhën shqipe, janë edhe ato që presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky është i vdekur nga 28 shkurti, pamje të djegies së një aeroplani në hapësirën ajrore të Ukrainës apo fotografi të një parashutisti që supozohet se po pushton Ukrainën.

Disa prej tyre janë trillime, të tjerat janë pamje nga stërvitjet ushtarake në të kaluarën.

Në situata të tilla të luftës, dhe përmbajtjes së ndjeshme, është shumë e rëndësishme që secili të jetë i rezervuar ndaj asaj që sheh dhe shpërndan.

Sipas faqes Statista, mesatarja ditore e përdorimit të rrjeteve sociale në botë është 145 minuta.

Kompania Hallakate nga Prishtina, e cila ofron shërbime për rrjetet sociale, thotë se një i ri në Kosovë kalon mes katër deri në pesë orë në rrjetet sociale.

Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës tregon tri pyetje që duhet t’ia bëjë vetes secili.

“Pyetja e parë, gjithmonë, kush është autori? Në pyetjen e parë ne e verifikojmë kush është personi, media, autori i informacionit që ne po e marrim. E dyta është a po e shohim (informacionin) edhe në një media tjetër, për shkak se të qenit lajm i rëndësishëm ka relevancë, është e pamundur të jetë vetëm në një portal apo vetëm në një faqe, dhe e treta në çfarë burime mbështetet?

Ela Stapley, eksperte e sigurisë digjitale në Fondacionin Ndërkombëtar të Grave për Media, ofron shembuj tjerë.

“Nëse shihni një artikull që vjen nga një shkencëtar i mirënjohur, i cili punon në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ju mund të supozoni se ai informacion është kontrolluar dhe është i besueshëm. Nëse e shihni që ky informacion vjen nga një person që ka shkruar në faqen personale në Facebook, nuk duket se është shkencëtar dhe ndoshta ka interesa tjerë.. ndoshta mund të jetë i interesuar në teori konspirative apo ideologji të ekstremit të djathtë, kjo duhet t’ju alarmojë që ai informacion mund të mos jetë i saktë”.

Nektar Qarri nga kompania Hallakate në Prishtinë përmend edhe një detaj tjetër për të dalluar përmbajtjen e vërtetë nga ajo e rremë.

“Zakonisht edhe faqet me prestigjioze janë në domenin ‘.com’, ndërsa ato që kanë materiale me kualitet më të dobët apo lajme të rreme janë me domena të ndryshëm, jo të njohur për publikun”.

Domenë tjerë që konsiderohen të sigurt janë edhe ‘.edu’, ‘.gov’, ‘.org’, ‘.net’.

Në cilin rrjet social janë më të cenueshëm të rinjtë në Kosovë?

“Për të rinjtë tanë mendoj që rreziku kryesor është Facebook-u, pavarësisht se kemi rritje të përdorimit të Instagramit dhe TikTok-ut, por për momentin, gjatë hulumtimeve që kam bërë, kam vërejtur që në këto dy mediat tjera sociale kemi një trend në rritje të shpërndarjes së dezinformatave”, ka thënë Dren Gërguri për Radion Evropa e Lirë.

Krahas përmbajtjes, edhe manipulimi me fotografi është i rrezikshëm.

Ditëve të fundit, një fotografi e sheshit Majdan në Kiev, është bërë virale për shkak të një krahasimi që i është bërë, kinse para dhe pas luftës.

Ajo është shpërndarë më 25 shkurt, një ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Mirëpo përmbajtja e saj nuk përkon me realitetin, pasi fotografia, që pretendohej se është bërë më 25 shkurt, në fakt është e vitit 2014, kur në Kiev ka pasur protesta kundër Qeverisë së ish-kryeministrit, Viktor Yanukovych.

Në rrjetet sociale ka qarkulluar edhe një fotografi e një çifti të mbështjellë me flamujt e Ukrainës dhe Rusisë, duke bërë thirrje për dhënie fund të luftës.

As ajo nuk ka qenë e periudhës së fundit, por e vitit 2019.

Një tjetër rast ka qenë me një fotografi të dy fëmijëve, të cilët shihen duke përshëndetur ushtarët ukrainas.

Ministrja e Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se ajo fotografi daton nga viti 2016.

Nëse keni dilema për vërtetësinë e një fotografie, përmes aplikacionit ReverseImageSearch, ju mund të kuptoni se kur dhe ku është publikuar një fotografi për herë të parë.

Bëhuni përdorues vigjilentë të rrjeteve sociale

Nektar Qarri thotë se secili person që qëndron me orë të tëra në rrjete sociale, është mirë që ta saktësojë për veten se çfarë dëshiron të përfitojë prej kësaj kohe.

“Pothuajse të gjitha platformat si Facebook, LinkedIn, Google ofrojnë trajnime dhe kurse falas për profesionet që kanë të bëjnë shembull me marketingun digjital ose me profesione të ndryshme, të cilat mund t’i përfundosh falas dhe të avancosh në karrierë dhe pse jo, me një mundësi shumë të madhe edhe të punësoheni”.

Për përmbajtjen që ju shfaqet në rrjete sociale, shumica ia lënë fajin algoritmit.

Por njerëzit që merren çdo ditë me to thonë se edhe ju mund të ndihmoni në këtë proces.

Shembull në Facebook, nëse të pëlqen një përmbajtje mund ta pëlqesh apo ta shpërndash atë dhe kështu do të shohësh secilën herë e më shumë atë lloj të përmbajtjes.

Në të kundërtën, nëse një përmbajtje nuk është e përshtatshme për ty, mund ta përdorësh opsionin “fsheh” dhe Facebook në bazë të atij treguesi nuk të shfaqë përmbajtje të tillë.

Sipas Qarrit, për një muaj ose dy përmbajtja juaj mund të jetë ajo që dëshironi.

Kujdes çka publikoni!

Informacioni që publikoni në rrjetet sociale është mënyra si ju sheh bota.

Prandaj është shumë e rëndësishme që përmbajtjes online t’i kushtohet vëmendje e shtuar.

“Kur diçka publikohet në internet është shumë e vështirë që të largohet, sepse ka shërbime që e arkivojnë përmbajtjen, apo njerëzit tjerë mund t’i bëjnë fotografi përmbajtjes suaj dhe ta ruajnë diku”, ka thënë Ela Stapley nga Fondacioni Ndërkombëtar i Grave për Media.

Nektar Qarri thotë se komentet, postimet, fotografitë, të gjitha konsiderohen publike sapo të publikohen në rrjet.

“Paraqitjen që e keni online, duhet të keni kujdes se çfarë flitet aty, ose çfarë përmbajtje postohet, sepse mund të ndikohen familjarët tuaj, mund të ndikohen persona që ju i keni të afërt, të rrethit apo kolegë”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin