image Rusia urdhëron mediat t’i fshijnë artikujt me fjalët “pushtim” ose “sulm”

Botë

Rusia urdhëron mediat t’i fshijnë artikujt me fjalët “pushtim” ose “sulm”

news image

Agjencia ruse e monitorimit të mediave, Roskomnadzor, i urdhëroi mediat që t’i fshijnë raportet që përdorin fjalët: “sulm”, “pushtim” ose “shpallje lufte”, për të përshkruar inkursionin e paprovokuar ushtarak të Rusisë në Ukrainën fqinje.

Agjencia tha se ka nisur hetime për “përhapjen e informacioneve jo të besueshme” kundër gazetës së pavarur Novaya Gazeta dhe mediave të tjera, si: Ekho Moskvy, InoSMI, Mediazona, New Times e Dozhd.

Crimea.Realities e Radios Evropa e Lirë është po ashtu në listë.

Këto media akuzohen për publikimin e “informacioneve të pasakta në lidhje me granatimet e qyteteve të Ukrainës dhe viktimat civile në Ukrainë, si rezultat i veprimeve të ushtrisë ruse”.

Nëse mediat refuzojnë t’i fshijnë raportet, Roskomnadzor kërcënoi se do t’i bllokojë ato.

Roskomnadzor tha se mediat mund të gjejnë “informacione të besueshme” vetëm nga “agjencitë zyrtare të informimit”.

Rreth 100 gazetarë rusë, duke përfshirë disa nga mediat shtetërore si TASS dhe RT, nënshkruan një letër të hapur, duke dënuar “operacionin ushtarak që Rusia ka nisur kundër Ukrainës”.

Një ditë më parë, Roskomnadzor paralajmëroi se qasja në Facebook në Rusi do të kufizohet, sepse gjiganti i mediave sociale ka bllokuar llogaritë zyrtare të disa mediave shtetërore ruse, përfshirë RIA Novosti-n dhe kanalin televiziv të Ministrisë së Mbrojtjes, Zvezda.

Gati 700,000 njerëz kanë nënshkruar një peticion rus në internet, duke bërë thirrje që publiku të flasë kundër luftës në Ukrainë.

Qeveria ruse nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar për humbjet ushtarake ruse gjatë ofensivës në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt./ REL

/GazetaSinjali/