image Biznesi me drogë s’po ndalet edhe pas arrestimeve, dënimeve e konfiskimeve të shumta

Siguri

Biznesi me drogë s’po ndalet edhe pas arrestimeve, dënimeve e konfiskimeve të shumta

news image

As qindra arrestimet e dënimet me burg të grupeve e individëve që merren me shitjen e konsumimin e drogës, nuk po ia dalin të parandalojnë këtë biznes, ndër më të dëmshmit për popullatën e Kosovës.

Vendi jonë po konsiderohet ende si vend tranzit i substancave narkotike, por ka edhe sasi më të vogla që janë për përdorim të brendshëm.

Marihuana është substanca më e përhapur në vendin tonë. Derisa numri më i lartë i rasteve është i përqendruar në Prishtinë, Prizren e Pejë. E përdoruesit më të shumtë janë kryesisht mosha mesatare 20- 45 vjeç.

Policia e Kosovës tregojnë për Gazetën Sinjali, se gjatë periudhës 1 janar deri me 8 nëntor 2022 gjithsej janë realizuar 185 operacione dhe 390 bastisje ndaj grupeve dhe individëve për substanca narkotike. Gjatë kësaj kohe janë konfiskuar: Heroinë: 245446.67 gramë, Marihuanë: 634179.19 gr,
Kokainë: 3965.1 gr, bimë kanabisi: 24502, fara kanabisi: 226.92 gr, Ekstazi: 261.52 gr, pre kursorë (përzierës): 412 gr dhe droga tjera: 822 gr.

Policia tregojnë se nga 1 janari deri 8 nëntor 2022 janë arrestuar  933 persona, prej tyre 903 meshkuj dhe 30 femra.

Sipas Policisë Regjioni  i Prishtinës ku përfshihet edhe sektori qendror është regjioni me më shumë konfiskime të substancave narkotike Heroinë, Kokainë dhe Marihuanë, pastaj regjioni i Prizrenit dhe Ferizajt.

Policia tregojnë se në regjionin e Mitrovicës Veri sa i përket kultivimit të bimës kanabis sativa ka më së shumti konfiskim ku edhe janë zbuluar 5 laboratorë për kultivim te bimës kanabis sativa.

Policia njofton se bazuar në të dhënat dhe rastet e raportuara në nivel vendi Marihuana mbetet ende si substanca më e përhapur në tërë vendin tonë.

“Marr parasysh që numri i rasteve më i lartë është i përqendruar në qytetet më të mëdha si Prishtina, Prizreni, Peja lë të kuptohet se vendet ku dendësia e popullatës është më e lartë edhe kërkesa është më e madhe në këto qytete”, thonë forcat e rendit.

Mosha më e re e regjistruar në periudhën gjatë këtij viti është mosha 14 vjeç (1 person), 
ndërsa mosha më e madhe e personave të regjistruar është  63 vjeç (1  person). 

“Kosova ende mbetet si vend transit i substancave narkotike, por ka edhe sasi  më të vogla që janë për përdorim të brendshëm”, thonë nga Policia.

Sipas tyre gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 316 persona përdorues, ku 308  prej tyre i përkasin gjinisë mashkullore dhe 8 janë femra. Mosha mesatare e personave përdorues është kryesisht mosha mesatare  20- 45 vjeç.

Nga Këshilli Prokurorial tregojnë për Sinjalin se subjektet e ndryshme gjatë periudhës raportuese janar-qershor 2022 kanë parashtruar nëpër prokurori 607 kallëzime penale me 756 persona për veprat e drogave.

Prokuroritë në fillim të vitit kishin të trashëguara nga periudha kaluar 1045 kallëzime penale me 1438 persona ndërsa, gjatë periudhës raportuese (janar-qershor 2022) kanë pranuar 607 kallëzime penale me 756 persona të përfshirë në veprat penale të Drogave.

Sipas KPK-së nga tërësia prej 1652 kallëzimeve penale me 2194 persona në punë, prokuroritë gjatë periudhës raportuese kanë proceduar (zgjidhur/kryer) 459 kallëzime penale me 548 persona, ndërsa në fund të periudhës raportuese (30 qershor 2022) ngarkesa me lëndë rezulton të jetë me 1193 kallëzime penale me 1646 persona të përfshirë në veprat penale të drogave.

Prokuroritë gjatë periudhës raportuese (janar-qershor 2022), kanë proceduar (kryer/zgjidhur), rastet e 548 personave të përfshirë në rastet e veprave penale të drogave.

Prokuroritë gjatë periudhës raportuese (janar-qershor 2022) kanë ndërmarrë 334 veprime/ vendime në kuadër të trajtimit të rasteve për personat e përfshirë në veprat penale të drogave. Nga tërësia prej 98 kërkesave të parashtruara për caktimin e paraburgimit gjykatat kanë aprovuar 66 kërkesa apo 67.35%.

Prokuroritë gjatë periudhës raportuese janar-qershor 2022 kanë regjistruar në regjistrin PPN 21 raste penale me 25 persona të përfshirë në veprat penale të drogave.

Prokuroritë në fillim të vitit kishin të trashëguara nga periudha kaluar 46 raste penale me 68 persona, ndërsa gjatë periudhës raportuese (janar-qershor 2022) kanë pranuar 21 raste penale me 25 person të përfshirë në veprat penale të Drogave. Nga tërësia prej 67 rasteve penale me 93 persona të regjistruar në regjistrin PPN, prokuroritë gjatë periudhës raportuese kanë mbyllur 12 raste penale me 19 persona, ndërsa në fund të periudhës raportuese (30 qershor 2022) ngarkesa me lëndë rezulton me 55 raste penale me 74 persona të përfshirë në veprat penale të drogave.

Derisa nga Këshilli Gjyqësor tregojnë për Sinjalin se gjatë këtij viti gjykatat kanë dënuar 150 persona për 115 raste.

Derisa kishin në punë 571 lëndë me 1128 persona të akuzuar për veprat penale të narkotikëve.

Prej tyre 140 raste me 248 persona të akuzuar janë të këtij viti, derisa në fillim vit kishin edhe 431 raste të trashëguara me 880 të akuzuar.

Sipas të dhënave të KGJK-së me aktgjykim fajësues gjatë 9 muajve të parë të këtij viti ishin 82 raste dënim me burg me 107 të dënuar. Derisa për 24 raste janë dënuar me gjobë apo 29 persona. Në 9 raste janë dënuar me kusht 14 persona.

Sipas KGjK-së në 2 raste me dy persona janë liruar me aktgjykim. Për 7 raste është refuzuar  me 9 persona. Derisa 5 raste me 5 persona janë zgjidhur në mënyrë tjetër. Lëndë të zgjidhura janë 129 me 166 persona ka përfunduar procedura.

 “Derisa lëndë të pazgjidhura kanë mbetur  442 me 962 persona të përfshirë ndaj të cilëve nuk ka përfunduar procedura”, mëson Sinjali nga KGJK.

/GazetaSinjali/