Moslirimi i masave nga ana e Qeverisë dhe mungesa operimit të plotë të bizneseve, ka bërë që këto të fundit të drejtojnë akuza në drejtim të institucioneve.
Bizneset thonë se respektimi i masave nuk është bërë as nga partitë politike në zgjedhjet që u mbajtën këtë vit. Kryetari i Odës Hoteliere dhe Turizmit, Fadil Sogojeva, ka thënë se pasi respektimi i masave nuk është bërë nga partitë politike nuk do të bëhet as nga bizneset.
“Ne kemi reaguar edhe më herët dhe po presim që këto masa të largohen, sepse nuk ka arsye. Vet fushata elektorale e ka bërë të vetën, atëherë kur vetë ata nuk i kanë respektuar masat, atëherë as ne nuk kemi arsye t’i respektojmë, prandaj kërkojmë që të merren me këtë punë dhe të lirohen masat. Sot e kemi mbajtur kuvendin e punës ku kanë marrë pjesë mbi 120 delegatë, prandaj sot jam më i fuqishëm edhe nëpërmjet organeve ne do të mundohemi që t’i realizojmë kërkesat tona”, ka thënë Sogojeva.
Analizë të gjendjes ka kërkuar edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i cili ka thënë se Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka orë policore.
“Mendoj që Qeveria e Kosovës duhet ta analizojë gjendjen reale të pandemisë dhe në bazë të saj të marrë veprime për të cilat janë jo të justifikueshme siç është ora policore, dhe kjo është e panevojshme”, tha ai.
“Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka orë policore dhe kjo orë policore më shumë jep imazh të keq vendin, sesa e mbron vendin nga pandemia, sepse nga ora 24 deri në 5 të mëngjesit nuk ka asnjë lëvizje dhe nuk ka asnjë rrezik që dikush të infektohet”.
“Grumbullimet janë të ndaluara tash e disa kohë dhe mendoj që Qeveria e vendit duhet të sillet konform rekomandimeve të IKShPK-së, kështu që Kosova është shumë më mirë sesa ishte ditëve të verës, ku numri i të infektuarve është minimal dhe të vdekur nuk ka, dhe kjo është një shenjë që ne duhet të mendojmë për lirimin e masave për t’i liruar bizneset me aktivitetet e tyre të ndryshme, gjithmonë konform manualit të mbrojtjes së shëndetit publik”, ka thënë Shahini për EO.
Shahini ka ironizuar me partitë politike, për të cilët thotë se në kohë fushate nuk ka pasur pandemi. Ai shton se nga kufizimet po dëmtohen bizneset që operojnë me organizim publik, siç janë sallat e dasmave, klubet e natës dhe gastronomia.
Kurse nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, thonë se fokusi i Qeverisë ka qenë te zgjedhjet lokale, e aspak tek bizneset. Arian Vranica nga kjo shoqatë, ka thënë se nëse nuk lirohen masat, do të mbajnë protesta para Qeverisë.
“Realisht kjo është një neglizhencë, ku e kemi parë që krejt fokusi dhe fuqia e Qeverisë së Kosovës ka qenë te zgjedhjet lokale, dhe kemi parë që është bastarduar komplet me respektimin e masave dhe nuk ka pasur asnjë lloj sinjali që do të ketë lirim të masave por vetëm paralajmërime se gjendja në rajon është shumë shqetësuese. Nuk kemi pasur asnjë masë mbështetëse ekonomike, e cila do të shkonte për disa prej domeneve kanë funksionuar, siç janë klubet e natës dhe sallat e dasmave, e po ashtu edhe me operimin e pjesshëm të gastronomisë”, ka thënë Vranica./GazetaSinjali/