Ndonëse vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka raportuar se janë kryer 6 vjedhje të rënda dhe një grabitje, sipas të dhënave të organeve të rendit, kjo dukuri ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas të dhënave të policisë të siguruara nga Gazeta Sinjali gjatë periudhës janar – tetor të këtij viti janë raportuar 3 mijë e 148 raste të vjedhjes, 655 raste më pak sesa që kishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Lidhur me interesimin tuaj ju njoftojmë se në përgjithësi, veprat penale kundër pasurisë janë në rënie, kështu për periudhën janar-tetor 2020, janë evidentuar 3 mijë e 148 vjedhje, kurse janar-tetor 2019, janë evidentuar 3 mijë e 803 vjedhje, pra ka ulje për -17.22% në nivel vendi”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Sinjali.
Ndërkaq, policia nuk është përgjigjur se sa është vlera e parave ose mallit të vjedhur në këto raste e as për numrin e personave të arrestuar si të dyshuar për këto vepra./Gazeta Sinjali/