image Bie në pranga të Policisë i dyshuari që tentoi t’i vras babë e bir në Prishtinë, dërgohet në paraburgim - Sinjali

Bie në pranga të Policisë i dyshuari që tentoi t’i vras babë e bir në Prishtinë, dërgohet në paraburgim

news image

Fatmir dhe Fisnik Asllani, babë e bir nga Prishtina përfunduan më 11 maj në QKUK pasi u therën me thikë në rrugën “Arben Xheladini”. Pesë persona të cilët kishin probleme me djalin 17-vjeçar i sulmuan prindin me fëmijë, duke u shkaktuar lëndime trupore. I dyshuari kryesor nuk e shijoi lirinë gjatë, pasi Policia e Kosovës ka arritur ta prangos.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pas veprimeve hetimore të Policisë është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari L.B.

Pas arrestimit dhe caktimit të masës së ndalimit, Sinjali mëson se me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tij për veprën penale “vrasje në tentative”.

Gazeta Sinjali ka raportuar në natën që ndodhi ngjarja se babai 56-vjeçar, Fatmir Asllani ka dhënë deklaratë në stacion policor, pas marrjes së trajtimit mjekësor në QKUK, ku në dëshminë e dhënë para zyrtarëve policorë, ka deklaruar se rasti ndodhi derisa ishte rrugës me gruan dhe djalin e tij, kur u përballën me një sulm nga pesë persona.

I njëjti kishte deklaruar se të dyshuarit që i sulmuan dhe i therën me thikë kanë pasur probleme me djalin e tij, kohë më parë dhe siç duket kanë dalë për t’i qëruar hesapet, si pasojë e ngatërresave.

Përveç babait, edhe djali i tij, ka marrë trajtim mjekësor në QKUK, për shkak se i njëjti ishte në gjende më të rëndë. Viktima është trajtuar në repartin e Urologjisë në QKUK, ku është operuar dhe është jashtë rrezikut për jetë.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin