image BE: Jemi në kontakt me Kosovën për tre serbët e arrestuar për krime lufte

Politikë

BE: Jemi në kontakt me Kosovën për tre serbët e arrestuar për krime lufte

news image

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se nuk i vënë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, duke shtuar se është në kontakt me to për të pasur informacione të plota rreth arrestimit të disa serbëve në veri të Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkuren se ka arrestuar tre persona të komunitetit serb Dragan Milovic, Lije Elezovic dhe Zoran Kostic nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.

Stano, në një konferencë për media ka thënë se është në kontakt me partnerët e ngushtë dhe autoritetet relevante që të sigurohet një pasqyrë më e plotë e asaj se çfarë po ndodh dhe si po kryhen këto veprime.

Stano ka thënë se nuk po e gjykon situatën.

“Referuar asaj se çfarë po ndodh tani në veriun e Kosovës, në operacionin e Policisë, nuk thash që po vë në pikëpyetje ndonjë gjë, thash që jemi në kontakt shumë të afërt me partnerët tanë të ngushtë dhe autoritetet relevante që të kemi një pasqyrë të qartë të asaj se çfarë po ndodh dhe si po kryhen këto veprime. Nuk bëra asnjë gjykim për këtë situatë, tregova se po mbledhim informatat e nevojshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian është duke punuar për procedimin e krimeve të luftës, duke shtuar se është duke punuar me Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar dhe se qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar në këtë çështje.

Tre të arrestuarve të mërkuren u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

E ashtuquajtura Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se i arrestuari në Zveçan, Dragan Milovic është ish-polic. Ndërkohë për Lije Elezovic. ka pretenduar se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Ata janë dërguar në drejtim të panjohur, në jug të Ibrit. Zyra për Kosovë ka ofruar menjëherë avokatë për serbët e arrestuar, të cilët po përpiqen ta mësojnë se ku janë dërguar, sepse familjet e tyre nuk kanë informacion të detajuar për më të dashurit e tyre”, thuhej në deklaratë.

/GazetaSinjali/