Ministria e Arsimit po vazhdon me mësimin në distancë ku në Radio Televizionin e Kosovës si dhe në Youtube po ligjërohen lëndët për filloristët.
Megjithatë, një çështje për të cilën ende nuk është marrë vendim është ajo rreth vlerësimit të nxënësve. Për këtë gjë, në Ministrinë e Arsimit është duke u punuar.
Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, deklaroi sot se nuk kanë ardhur deri te momenti kur duhet të konsiderojnë vlerësimin online. Ajo tha se po shpresojnë që vlerësimi i nxënësve të bëhet në shkolla.
“Jemi duke punuar për vlerësimet online, por prapë po e them nuk kemi ardhur deri te pika ku duhet të vendosim për diçka të tillë sepse sinqerisht po presim që vlerësimi të mund të bëhet në shkolla”, u shpreh ajo.
Bajrami deklaroi se janë duke ndjekur progresin e mësimit në distancë dhe për këtë ëshët në kontakt edhe me kryetarët e komunave, pasi arsimi primar dhe ai sekondar janë përgjegjësi e komunave, por që janë në dispozicion për t’i ndihmuar.
Ministrja e Arsimit tha se mbetet nën përgjegjësinë e komunave që t’i angazhojnë mësimdhënësit pasi këta të fundit duhet të jenë në kontakt në baza ditore me nxënësit dhe prindërit në mënyrë që të ndiqet edhe angazhimi dhe mbarëvajtjen e detyrave të shtëpisë.
“Ju e dini që komunat janë përgjegjëse për arsimin primar dhe sekondar mirëpo ne e kemi marrë këtë kompetencë dhe në fakt për arsimin primar po ofrojmë komplet mësimdhënien, ndërkohë që komunat kanë përgjegjësi që t’i angazhojnë mësimdhënësit e tyre se ata do të jenë në kontakt në baza ditore me prindërit dhe nxënësit në mënyrë që të përcjellin angazhimin e tyre dhe mbarëvajtjen e detyrave të shtëpisë dhe të tjera”, u shpreh Bajrami.
Ndryshe, për shkak se nesër, më 9 prill, është festë zyrtare, me rastin e shënimit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe për faktin se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditën festive, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njoftoi nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se video-ligjëratat për mësimin në distancë që transmetohen në RTK gjatë ditës së enjte, do të ritransmetohen edhe ditën e shtunë sipas orarit të njëjtë./ Gazeta Sinjali/