image Përgjaken rrugët e Kosovës në ditën e Bajramit, dy të vdekur e dhjetëra të lënduar nëpër aksidente - Sinjali

Përgjaken rrugët e Kosovës në ditën e Bajramit, dy të vdekur e dhjetëra të lënduar nëpër aksidente

news image

Pas 30 ditëve agjërim, myslimanët dje kanë festuar Fitër Bajramin, e në Kosovë kjo festë pritet me shumë mysafirë e vizita ndërmjet të afërmve, shkruan Gazeta Sinjali .

Lëvizjet e shpeshta në komunikacion kanë bërë që dje të ketë shumë aksidente, madje edhe me fatalitet.

Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar vazhdimisht për aksidentet që kanë ndodhur nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, mirëpo një prej tyre përfundoi me fatalitet.

Në Gllobar të Drenasit rreth orës 14:00, dy vetura janë përplasur për shkak të tejkalimit të pasigurt dhe ku të vdekur mbetën dy persona – një grua 32 vjeçare dhe një fëmijë 7 vjeç. Në këtë aksident tragjik, kanë pësuar lëndime edhe tre persona tjerë. Në vendin e ngjarjes u detyruan të dalin edhe njësitet e zjarrfikësve.

Ndërkaq një aksident tjetër ka ndodhur në fshatin Abri të Epërme të Drenasit, ku janë përfshirë 5 vetura dhe si pasojë lëndime trupore kanë pësuar 10 persona.

Për këtë aksident, Policia e Kosovës tha se shkaktar del të jetë mos përshtatja e shpejtësisë.

Edhe në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë pati aksident, atje në fshatin Stanovc u përplasën dy vetura ku mbetën dy persona të lënduar të cilët kërkuan ndihmën mjekësore.

Shtatë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar po ashtu si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur dje rreth orës 16:00 në magjistralen Prishtinë-Gjilan, afër liqenit të Badocit. Të lënduarit u dërguan nëpër qendrat emergjente shëndetësore.

Lajm jo i mirë erdhi edhe nga qyteti i Pejës respektivisht në fshatin Baran, atje rreth orës 16:00 ndodhi një aksident në të cilin pësuan dy persona.

Për të gjitha këto aksidente kanë folur edhe nga Qendra Emergjente e Kosovës.

Nga ora 12:00 e ditës së djeshme e deri në orët e mbrëmjes, 52 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente.

Kështu ka bërë të ditur për Sinjalin, drejtori i Qendrës Emergjente të Kosovës, Naser Syla.

Ai tha se 52 pacientë janë aksidentuar, derisa gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë. Njëri nga aksidentet që është shkaktuar në Graçanicë, Syla ka bërë të ditur se i aksidentuari është dërguar jashtë vendit.

“Një në MIQ, tre Ortopedi dhe katër në Kirurgji torakale, pacienti në MIQ është në gjendje të rëndë”, deklaroi ai për Sinjalin.

Për 24 orë janë regjistruar 68 aksidente, në mesin e tyre 34 me të lënduar ndërsa 33 të tjerë me dëme materiale.

Për këtë periudhë kohore, nga Policia e Kosovës janë regjistruar 376 tiketa trafiku për të gjithë shkelësit e rregullave në trafik.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin