Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Para këtij komisioni ka thënë se nuk është kërkuar nënshkrimi i saj dhe as i drejtorit të Thesarit dhe se gjithçka ka ndodhur përmes falsifikimit.
“Ashtu siç kam njoftuar edhe më herët ne po i ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë. Pas 3 minutave që unë jam informuar kam raportuar në polici. Ky është një krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi kibernetik. Ka pasur qasje të paautorizuar, janë tejkaluar autorizimet ligjore, dhe është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer passworde. Nuk është kërkuar për asnjë transaksion nënshkrimi im as i drejtorit të thesarit. E gjitha ka ndodhur përmes një falsifikimi. Ne i kemi njoftuar organet e drejtësisë përfshirë prokurorinë, departamentin për krime kibernetike dhe ekonomike, njësinë për inteligjencën financiare dhe AKI”, tha Bajrami.
Bajrami ka thënë se krimi është i gjurmueshëm dhe se me këtë rast janë duke u marrë organet.
“Ka gjurmë se nga cili kompjuter janë bërë nga cili zyrtarë janë bërë, ku kanë shkuar dhe nga cila kompani madje janë ndarë nëpër subjekte. Krimi është i gjurmueshëm. Me këtë rast po merren të gjitha organet. Prej 2009 ka ndodhur delegimi i pagesave në mënyre elektronike. As nuk është kërkuar nënshkrim nga ana ime. Është bërë pa autorizim, ka tejkalim dhe keqpërdorim i të detyrës zyrtare dhe është krim ekonomik dhe kibernetik”, ka përfunduar ajo.
Dje është raportuar për avullimin e më shumë se 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit./Gazeta Sinjali/