Deputetët kanë filluar të mblidhen në Kuvend për të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet për votimin në parim të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, para se të hyjë në seancë, tha se sot beson që i kanë 61 vota pro dhe do të kalojë ky projektligj, sipas të cilës është shumë i rëndësishëm për vendin.
“Seanca është thirrur bazuar në 61 nënshkrime të cilat i ka mbledhë shefi i GP të LDK-së Arben Gashi. Unë po besoj dhe shpresoj që të gjithë deputetët nënshkrues për thirrjen e kësaj seance sot do të jenë prezent. Për disa minuta seanca fillon, 61 deputetë kanë nënshkruar, po shpresojmë dhe besojmë. Tash me garanci nuk mund të flasim sepse dikujt mund t’i ketë ndodhë, por besojmë se do të jenë ata 61 deputetë për ta votuar ligjin”, tha Bajrami.
Nëse nuk kalon edhe sot, ministrja Bajrami tha se qeveria do të vazhdojë me implementimin e programit qeverisës dhe masave të cilat nuk janë subjekt i ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ndërsa, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë për ta kundërshtuar pakon për rimëkëmbje ekonomike.
Kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa nga VV, Hekuran Murati, tha se subjekti që përfaqëson nuk do ta votojë as sot Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Ne si grup tashmë i kemi shprehur qëndrimet dhe argumentet tona dhe nuk ka ndonjë ndryshim. Pra, edhe sot është hera e shtatë e shfaqjes së jo seriozitetit të kësaj qeverie…. Ky projektligj në një formë është votëbesim i qeverisë, nëse një qeveri nuk i ka së paku 61 vota aq sa kërkohet me kushtetutë, nuk do të duhej të ekzistonte. Kështu që nuk mundet që opozita ta mbajë qeverinë në këmbë. Tash pas një muaj do ta kemi edhe Projektligjin e Buxhetit, prandaj nëse nuk i kanë 61 vota si mendojnë ta kalojnë edhe atë projektligj”, tha Murati.
Megjithatë, deputeti Murati tha se pas kësaj seance është seanca tjetër, Projektligji për heqjen e homologimit, cili pret që i njëjti të miratohet.
Sot për të shtatën herë pritet të hidhet për votim Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike në seancën e jashtëzakonshme. /Gazeta Sinjali/